KLSH zbulon shkelje në koncesionet e hemodializës dhe check-up: U paguan 10.5 mln euro për shërbime të pakryera
Tre koncesione të shëndetësisë janë marrë në analizë nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) sa i takon pagesave që janë bërë ndaj tyre nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Një raport me 461 faqe i audituesve të KLSH-së ka dalë në përfundimin se paratë publike po gërryhen ndër të tjera nga shërbime të pakryera por të paguara karshi kompanive që kanë fituar të drejtat koncesionare.
Koncesionet në shëndetësi konsiderohen problematikë e madhe edhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Në raportin prej 461 faqesh konstatohet se janë rreth 10 milionë euro të paguara për punë të pakryer për koncesionarët. Bëhet fjalë për chek up, hemodializën dhe setin kirurgjikal.
Vetëm nga koncesioni i check up janë rreth 930 milionë lekë për shërbime të pakryera deri në vitin 2018, ndërsa për hemodializën 352 milionë lekë nga viti 2016 deri në 2020, raporton Ora News.
Sa i përket hemodializës që kryhet në 5 rajone të vendit KLSH kërkon rishikimin e kontratës.
Në raport thuhet madje se pagesat janë bërë edhe kur nuk kishte nisur shërbimi.
Sa i përket seancave të pakryera konstatohet se nëse ato paguhen janë dëm ekonomik por raste të tilla nuk kanë munguar pasi kjo të dy format parashikohen në kontratë.
Efekti për këto raste sipas auditueses shkon në rreth 352 milionë lekë.
Në analizë të plotë ka kaluar dhe kontrolli i check up të popullatës.
Për shoqërinë “3P L L shpk” janë paguar në vitin 2019, 876milion lekë për 482,716 kontrolle.
Por po ashtu janë paguar shërbime të pakryera për 2,840 raste, në vlerën 5,238 mijë lekë.
Ndërkaq kompanisë i është likuiduar edhe TVSH ndërkohë që ky shërbim duhet të trajtohet si Furnizim i Përjashtuar, informon Ora News.
Ndërkaq për 5 vite KLSH veçon se janë 930 milion lekë të paguara për raste të pakryera.
Probleme janë zbuluar edhe në koncesionin e Furnizimit të Setit të Personalizuar të Instrumenteve Kirurgjikale Sterile.
Në këtë rast konstatohet se vit pas viti numri i pajisjeve ka qenë në rënie.

