Uiski dhe favore në qelitë e Bradasheshit, dalin para gjykatës të arrestuarit e dosjes "Trinomi"

Gjykata e Elbasanit dha sot masën e sigurisë "Arrest me burg" për 13 të arrestuar në kuadër të operacionit “Trinomi” të ndërmarrë gjatë natës së 1 shkurtit 2022.

Mes të arrestuarve janë dhe shefi i sigurisë së paraburgimit të Bradasheshit, Elbasan Hysni Ndreu , dy punonjës policie të këtij institucioni paraburgimi, çifti burrë e grua pronarë të lokalit pranë paraburgimit dhe disa persona që ndodhen në paraburgim pasi janë ndaluar për vepra të ndryshme penale.  

Të paraburgosurit lidhnin njerëzit e tyre me një çift burrë e grua të cilët ishin pronarë të një lokali përballë institucionit të paraburgimit. Këta më pas u jepnin shpërblimin dhe sendet e ndaluara që futeshin në burg disa personave që punonin në institutit e paraburgimit.

Përgjimi ambiental dhe telefonik ndihmoi prokurorinë për të zbuluar tërësisht skemën. Gjithashtu në dosjen e prokurorit të Elbasanit, Ritvan Suka si provë janë dhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së paraburgimit.

Vetë kreu i prokurorisë së Elbasanit do jetë pjesë e kësaj seance.  

Te arrestuarit që dalin sot në gjykatë

1. Hysni Ndreu, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef i Paraburgimit Elbasan, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ’’Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”;

2. Gazmir Meta, 52 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë grup sigurie në Institucionin e Paraburgimit Elbasan, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”;

3. Elvis Gjoci, 46 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë kontrollor në Institucionin e Paraburgimit Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

4. Gentian Gjata, 48 vjeç, banues në Elbasan, pronari i një biznesi brenda Institucionit të Paraburgimit Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, e kryer në bashkëpunim”;

5. Gentian Mino, 45 vjeç, banues në Elbasan, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Paraburgimit Elbasan, i dyshuar në procedimin penal konkret për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”;

6. Dardan Xhahysa, 24 vjeç, banues në Kavajë, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim;

7. Mikel Gjella,30 vjeç, banues në Tiranë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Paraburgimit Elbasan, i dyshuar në procedimin penal konkret për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

8. Klevis Deliaj, 27 vjeç, banues në Vlorë i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Paraburgimit Elbasan, i dyshuar në procedimin penal konkret për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

9. Genci Xhahysa, 41 vjeç, banues në Kavajë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Paraburgimit Elbasan, i dyshuar në procedimin penal konkret për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim;

10. Ervin Velia, 32 vjeç, banues në Kavajë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Paraburgimit Elbasan, i dyshuar në procedimin penal konkret veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim;

11. Rigers Miha, 23 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim”;

12. Kastriot Gjella, 54 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim;

13. Enver Kasneci, 48 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, e kryer në bashkëpunim”