Pa "non grata" dhe "Foltoren" politika do te vazhdonte fasade. Ervin Goci: Duhet energji konstruktive
Në PD, prej shtatorit të 2021 ka filluar një luftë e brendshme mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Pasi Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar më 9 shtator, Berisha filloi lëvizjen e tij të cilën e quajt "Foltorja" dhe u ndal në çdo qytet të Shqipërisë ku zhvilloi takime me qytetarët.
Pedagogu Ervin Goci i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Kostana Morava u shpreh se e ka mbështetur që ditën e parë "Foltoren" të cilën e shikon si një infrastrukturë sociale, jo vetëm e PD dhe zotit Berisha.
Goci: Kam parë atje gjithë dramën shqiptare të 30 viteve me një politikan dhe një njeri të interesuar atje. Ato që janë thënë atje mua më ka zgjuar ndjesinë e një subjekti politik. Në këtë sens për mua ishte një gjë e jashtëzakonshme. Nëse vihet re me kujdes qëkur ka shpërthyer "Foltorja" ka një përplasje më reale. Duhet kuptuar që Shqipëria në 8 vitet e fundit nuk ka pasur opozitë, fare. Ajo që unë e shoh është që kjo çarje është krijuar sepse palët kanë filluar të përplasen vërtet.
Pedagogu tha se baza e partisë ka qenë inekzistente.
Goci: Pretendimi i zotit Berisha dhe gjithë lëvizjes së vet për të kaluar në zgjedhje dhe për tu matur para publikut më duket shumë legjitim. Ndërkohë që pala tjetër refuzon kategorikisht që të bëhen zgjedhje, që do të thotë se nuk ka të drejtë sepse normalisht duhet të shkojnë në një konkurs. Problemi është që partia u shkërmoq komplet.
Goci foli dhe për vendimin e Bashës për të përjashtuar Berishën dhe 7 anëtarë të tjerë përfundimisht nga partia. Ai e krahasoi vendimin e Bashës me një akt terrorist.
Goci: Ka bërë një akt si akt terrorist, sikur kishte një brez bombe e predhash dhe u hodh në erë. Problemi i PD-së është një problem jashtëzakonisht i thellë dhe ka të bëjë me bërthamën, me shtyllën e partisë që tregon se nuk ka ekzistuar.
Në datën 8 para selisë së PD u zhvillua një protestë e thirrur nga Grupi i rithemelimit. Qëllimi ishte hyrja në selinë e PD për të ekzekutuar vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit, ku me 4446 vota u shkarkua Lulzim Basha nga posti i kryetarit të PD. Me ndërhyrjen e policisë, protestuesit nuk arritën që të hynin në seli, por zoti Berisha paralajmëroi protesta të tjera edhe pse nuk dha një datë.
