U dorëhoq apo u shkarkua? Bardhi për Ora News tregon bisedat mes Bashës dhe Rushajt para vendimmarrjes

Në një intervistë për Ora News Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi tregon bisedat që janë bërë para vendimmarrjes së sotme që çoi në zëvendësimin e Alfred Rushajt me Enkelejd Alibeaj.

Një zëvendësim i papritur i zyrtarizuar pasditen e sotme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe që pas fshihen shumë pikëpyetje.

Gazetari i Ora News, Everest Dedaj e pyeti se çfarë ndodhi me zotin Rushaj?

Ora News: Çfarë ndodhi me zotin Rushaj? Kishte dorëheqje, zhvendosje apo ndryshim të sjelljes së tij politike apo çfarë ndodhi konkretisht?

Gazmend Bardhi: Nuk ishte asnjëra nga këto, kam pasur mundësi të flas me Rushaj edhe me kryetarin e partisë. Ka qenë një diskutim i shtruar mes kryetarit të partisë dhe kryetarit të grupit dhe është arritur në dakordësinë e përbashkët që në këtë moment për sfidat që ka grupi parlamentar drejtimi të bëhej nga Alibeaj. Është një vendimmarrje e përbashkët e të dyve. Personalisht e kam mirëkuptuar dhe respektuar. E falenderoj për kontributin që ka dhënë. Ai e ka menaxhuar në mënyrën më të mirën e mundshme.

Ora News: A është kjo përpjekje e Bashës për të krijuar një grup ofensive?

Gazmend Bardhi: Jo nuk ka të bëjë me këtë. Zoti Rushaj ka mbajtur qëndrimet e tij lidhur me debatet e brendshme në PD, ka shprehur mendimin e tij për vendimin e Bashës për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar dhe e ka konsideruar vendim të drejtë. Ka patur dhe qëndrimet e tij pro propozimeve. Nuk ka të bëjë me aktivizimin e njërit apo tjetrit në media. Mënyra e të shprehurit lidhet dhe me natyrën, por qëndrimi i zoti Rushaj dhe i Alibeaj kanë qenë të qarta dhe pro institucioneve të partisë. Ky ndryshim i sotëm nuk ka të bëjë me mënyrën se si Rushaj apo Alibeaj kanë pasur qasje në debatin e brendshëm. Ka qenë një diskutim. Dua të jem I sinqertë. Që edhe në momentin e parë që ka Rushaj e ka marrë këtë detyrë I është kërkuar me ngulm nga lidershipi i partisë, në këtë moment është çmuar që për shkak të sfidave të reja që ka grupi kjo detyrë ti besohej zotit Alibeaj. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Ka qenë vendimmarrje e dakordësuar dhe e diskutuar gjatë dhe me shumë qetësi mes kryetarit të partisë e zotit Rushaj. E kam të konfirmuar nga të dy.