Basha nuk kursen asnjë, Bardhi rrëfen për Ora News arsyet pse u mor vendimi për ndryshime në parti
Përjashtimet e mbështetësve të Berishës nga PD e kanë detyruar Lulzim Bashën të ndërmarrë një seri ndryshimesh edhe brenda grupit të të besuarve të tij. Vendimet janë miratuar në mbledhje e Këshillit Kombëtar pasditen e sotme, 15 janar.
Pak orë pas mbarimit të mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi rrëfeu për Ora News arsyet vendimeve për t'i kaluar drejtimin e Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeajt, duke hequr kështu nga detyra Alfred Rushajn.
Ndërsa Agron Gjekmarkaj është votuar për postin e nënkryetarit të Kuvendit që ka mbajtur Enkelejd Alibeaj.
Bardhi: Ka pasur një dakordësi mes zotit Rushaj dhe zotit Basha për shkak të sfidave të reja që ka grupi ynë parlamentar me fillimin e sesionit të ri parlamentar. Ky është i vetmi vendim së bashku me caktimin e nënkryetari të ri të Parlamentit që nuk kanë lidhje me vendimin e datës 10 janar të kryesisë së partisë.
Bardhi tha se këto vendime janë rrjedhojë e vendimit të kryesisë ku disa anëtarë partie iu përjashtuan për shkak se ka prova të plota se ishin organizatorë të dhunës të datës 8 janar në selinë e PD.
Bardhi: Për një pjesë tjetër kryesia ka vendosur pezullimin nga çdo funksion që mbanin në PD.
A kishte dorëheqje të Alfred Rushaj?
Bardhi tha se ka qenë një diskutim i shtruar mes kryetarit të partisë dhe kryetarit të grupit dhe u ra në dakordësi që me sfidat e grupit parlamentar drejtimi të merrej nga Enkelejd Alibeaj.
Bardhi: Është një vendim i përbashkët i të dyve.
Bardhi falenderoi Alfred Rushaj për kontributin që ka dhënë dhe shtoi se e ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme punën në grupin parlamentar.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku
