"PS është një forcë politike që ka çfarë të japë", Gogu i përgjigjet akuzave për korrupsion: Kemi hapur dritaret e së vërtetës
Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka festuar me të rinjtë socialist 30 vjetorin e themelimit të këtij forumi. Kreu i qeverisë mbajti një fjalim të gjatë, ku nuk la pa përmendur bashkëpunëtorët e tij në drejtimin e Partisë Socialiste. Prandaj tha ai të rinjtë duhet te jene afër politikës. I ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj ishte deputeti i PS-së, Toni Gogu. Deputeti fillimisht u ndal te ditëlindja e 30-të e FRESSH dhe u shpreh se 30 vjetori ishte një ditë e hapur ku edhe qytetarët mund të bëheshin pjesë e një muzeumi të gjallë.
Gogu: PS është një forcë e cila ka çfarë të japë dhe ka çfarë të marrë, pra është e aftë të ndërveprojë me shoqërinë shqiptare.
Gogu ju përgjigj akuzave të PD në lidhje me qeverisjen e korruptuar. Ai tha se PS ka hapur dritaret e së vërtetës dhe nuk ka asgjë për të fshehur.
Gogu: Lufta e PS përkundrejt korrupsionit, një fenomeni shoqëror që nuk është prezent vetëm në Shqipëri është një realitet që e keni dëgjuar edhe nga zoti Rama që është një betejë e vazhdueshme. PS kontratën e ka me qytetarët shqiptarë. Akuzat e kundërshtarëve politikë, fakti që i kemi lënë hapësirë të hetojnë zgjedhjet, të hetojnë veprimtari të caktuara tregojnë që PS jo vetëm që nuk ka ndonjë fshehje të së vërtetës, por përkundrazi kemi hapur dritaret e së vërtetës për t'i parë ato së bashku. Kemi të bëjmë me akuza, me baltosje.
Deputeti tha se politika është në shërbim të qytetarëve. Sipas tij duhen ndarë veprimet dhe mosveprimet personale të secilit individ që bien ndesh me ligjin duke ju referuar arrestimit të ish-ministrit Koka i akuzuar për aferën e incineratorëve.
Gogu: PS nuk mundet të jetë dhe kjo është sfida e çdo partie politike, në momentin që PS bëhet ombrellë dhe inkubator korrupsioni ku gatuhen politika korruptive ky është një problem tjetër. Por për aq kohë sa aty faktohen ide dhe projekte që i japin qytetarëve shtëpi në kohë rekord kur është goditur nga një fatkeqësi, një vaksinim në kohë rekord, një rritje ekonomike, mendoj se duhet ta bëjmë dallimin mes politikave që sjellin ndryshim dhe politikanëve të cilët në momente të caktuara cedojnë integritetin e tyre personale.
Gogu tha se PS është në shërbim të qytetarëve dhe projekteve që i shërbejnë popullit.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku
