Bardhi për Ora News: Kemi marrë mesazhe kërcënuese nga njerëzit e Sali Berishës për të sabotuar partinë
Kreu i Shtetit, Ilir Meta njoftoi dje, 14 janar se do të çojë në zgjedhje 6 bashki: Durrësin, Vorën, Shkodrën, Lushnjen, Rrogozhinën dhe Dibrën, të cilat kanë mbetur pa një drejtues të zgjedhur me votë të 30 qershorit.
A është PD gati për këtë betejë? Bardhi konfirmoi dhe një herë për Ora News se PD është e gatshme të marrë pjesë në çdolloj zgjedhje.
Bardhi: Nuk ka vendim apo dekret të Presidentit për të caktuar zgjedhje të parakohshme në asnjë prej njësive vendore. Në momentin që këto zgjedhje do dekretohen sipas Kushtetutës, dua të garantoj çdo demokrat që PD do marrë pjesë në zgjedhje. Ka pasur kërcënime nga disa mbështetës të zotit Berisha për të sabotuar PD-në në zgjedhje. Nuk do ishte rasti i parë. Ka pasur edhe raste të shkuara kur të njëjtët individë në vend që të punonin për PD-në, punonin kundër PD-së dhe sigurisht që nëse në zgjedhjet e ardhshme qendrore apo lokale do vendosin të punojnë kundër PD-së, kjo do të jetë zgjedhja e tyre dhe do të marrin përgjigjen e duhur nga demokratët.
"Kërcënimi apo sabotimi i PD-së, kërcënimi i mundësisë së demokratëve për të menaxhuar pushtetin apo për të qeverisur nuk është një metodë që mund të funksionojë në PD."
Basha ka vendosur të dalë në bazë. Ditën e sotme, 15 janar, zhvilloi një takim me të rinjtë e FRPD në Tiranë, ndërsa nesër do të takojë demokratët e Fierit. Bardhi tha se opinioni publik është dëshmitar i faktit që çdo vendim i marrë nga Basha i është nënshtruar vendimmarrjes në secilin institucion të PD-së.
Bardhi: Keni parë që shumica dërrmuese kanë përkrahur lidershipin dhe vendimmarrjen e tij. Kam bindjen e plotë që në secilën prej degëve, shumica e anëtarëve mbështesin të ardhmen e PD-së dhe rrugën drejt pushteti të PD.
Bardhi tha se demokratët nuk do mbështesin marrjen peng të PD-së për halle personale, qofshin këto dhe halle personale të liderit të partisë.
