Pse nuk funksionon Komisioni Hetimor për 25 prillin? Gogu: U braktis nga opozita
Partia Demokratike e ka cilësuar 25 prillin si masakër zgjedhore. Për të hetuar 25 prillin 2021 PD kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për zgjedhjet. I ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj ishte deputeti socialist Toni Gogu. I pyetur se pse ky Komision nuk po vazhdon punën, pse nuk funksionon sot Gogu tha se është braktisur nga opozita.
Gogu: Ai komision hetimor ka një plan hetimi të miratuar siç e ka propozuar opozita i cili ka fjetur që nga fillimi i dhjetorit deri tani që flasim. Madje kemi pasur një braktisje të detyrës nga kryetari dhe të gjithë anëtarët e opozitës për të vazhduar hetimin. Informacioni është mal në Kuvend ndërkohë që nuk është bërë asnjë për tu hetuar. Fakti është që opozita kërkoi të hetohen zgjedhjet dhe PS bëri realitet ëndrrën e vet të mohuar prej vitesh duke e lejuar atë Komision. Krijuam komisionin dhe faktet janë aty, kemi pasur një drejtim tërësisht inefiçent. Ka një braktisje të detyrës.
E njëjta akuzë nga ana e PD është edhe për Komisionin e incineratorëve. PD akuzon PS se i ka penguar punën dhe nuk i lejon të hetojnë. Gogu u shpreh se veprimtaritë e Komisioneve kanë qenë publike.
Gogu: Në momentin që ishim në kulmin e punës, vetëm për hir të betejës që nisi për karrige në opozitë, veprimtaria e Komisionit Hetimor u braktis.
Ne si shumicë, tha Gogu, jemi duke kaluar çdo moment se si po përmbushet projekti i madh që kanë marrë për të qeverisur. Sipas tij, vendi ka disa plagë që duhen shëruar sa më parë, pandemia, tërmeti dhe kriza energjitike. Për PS, tha Gogu këto janë sfida të së ardhmes.
Gogu u ndal dhe te zhvillimet e opozitës.
Gogu: Gara me veten është nëse del vetëm në një fushatë. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Ne garën e kemi me pritjen që kanë qytetarët ndaj qeverisjes së PD. Opozita ka mundësinë që të vijë me një platformë më të mirë dhe të ballafaqojmë alternativat. Opozita është duke bërë një përpjekje për të gjetur veten me instrumente që s'kanë të bëjnë me një demokraci të konsoliduar.
Prej 9 shatorit në kampin blu ka filluar një "luftë" mes zotit Berisha dhe zotit Basha. Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar pas shpalljen 'non grata', ndërsa zoti Berisha filloi betejën për të kthyer legjitimitetin në parti.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku
