Basha: E kam dorën e shtrirë ndaj çdo demokrati që do PD në partneritet me SHBA e kundër regjimit të Ramës

Lulzim Basha ka mbledhur pasditen e sotme, 15 janar Këshillin Kombëtar të PD-së. Ai është ndalur sërish te protesta e 8 janarit është shprehur se aktet e dhunës janë vija e kuqe e ndarjes së dhunuesve me PD-në.

Basha: Pjesa dërrmuese prej jush ka qenë dëshmitar të akteve të dhunës së organizuar nga Sali Berisha në 8 janar. Ato akte, ajo sjellje, janë vije e kuqe ndarje e dhunuesve, organizatorëve të dhunës, e nxitësve të dhunës, me Partinë Demokratike. Dhuna nuk mund të jetë kurrë mekanizëm imponimi në Partinë Demokratike. Kurrë. Nuk mund t’i imponohesh institucioneve të partisë me dhunë.

Sipas tij, demokratët e kanë refuzuar dhunën e organizuar nga Sali Berisha. Basha është shprehur se pavarësisht se kanë marrë mesazhe kërcënuese demokratët e kanë kuptuar se Sali Berisha ka për qëllim vetëm të dëmtojë PD-në.

Basha: Demokratët e refuzuan dhunën e organizuar nga Sali Berisha. Ne të gjithë duhet t’i falenderojmë pa ndërprerje për këtë. Mund të jenë mashtruar, detyruar, mund tu kenë bërë presion, kam qindra mesazhe nga më skandalozet për mesazhet që u janë bërë, apo edhe thjesht për momentin nuk kanë qenë të qartë.

Dita ditës edhe këta demokratë kanë kuptuar dhe po e kuptojnë që e gjitha ajo që nisi dhe po vijon Sali Berisha ka vetëm një qëllim: Të dëmtojë, mundësisht ta shkatërrojë Partinë Demokratike. Sali Berisha do akoma që ta përdor PD si mburojë. Ne nuk e kemi lejuar këtë, ne nuk do ta lejojmë këtë.

Basha i ka shtrirë dorën çdo demokrati që do një PD të fortë në partneritet dhe aleancë me SHBA.

Basha: Unë e kam dorën të shtrirë ndaj çdo demokrati që do një PD të fortë në partneritet dhe aleancë me SHBA dhe kundër regjimit të korruptuar te Edi Ramës. Askush nuk është i tepërt.

Ju kërkoj dhe ju të shtrini dorën e bashkëpunimit për çdo demokrat. Për çdo qytetar që do ndryshimin dhe nxjerrjen e Shqipërisë, familjeve të tyre dhe në veçanti fëmijëve të tyre nga kjo krizë e rëndë.