"Opozita nuk bëhet duke qenë kundër demokratëve", Bardhi paralajmëron iniciativa të reja ligjore

Cilat janë sfidat e PD-së sot? Gazment Bardhi për Ora News tha se së pari duhet të kthehemi në zhvillimet e brendshme në parti.

Në një intervistë me gazetarin Everest Dedaj, Bardhi tha se ka disa iniciativa të rëndësishme ligjore përpara të PD-së që priten të shqyrtohen gjatë sesionit të ri parlamentar.

Bardhi: Është puna e komisioneve hetimore e cila është pezulluar apo penguar nga mazhoranca, sikundër në ditët në vijim do të njiheni me iniciativa të reja ligjore të PD.

"Opozita e vërtetë nuk bëhet duke qenë kundër demokratëve."

Bardhi u shpreh se opozita e vërtetë nuk bëhet duke mashtruar demokratët dhe duke shëtitur rrugëve të Tiranës e duke gjuajtur me gurë demokratët e selinë e PD-së.

Bardhi: Opozita bëhet duke denoncuar Edi Ramën, duke denoncuar aferat korruptive dhe duke qenë aktiv ën betejën e vetme që kanë demokratët, betejën kundër regjimit të Edi Ramës. Nëse kjo konsiderohet opozitë e vërtetë për Sali Berishën, për demokratët kjo konsiderohet opozitë fasadë që i jep oksigjen regjimit të Edi Ramës dhe i pamundëson demokratëve misionin për rrëzimin e Edi Ramës.

Berisha ka paralajmëruar se në 17 janar, me nisjen e sesionit parlamentar do të jetë në Kuvend së bashku me deputetët që e mbështesin.

Bardhi tha se Berisha do të bëjë shumë mirë që do të shkojë në Parlament sepse për çështje ditësh mbush afatin e djegies së mandatit nëse nuk paraqitet në Parlament.

Bardhi: Rregullat e uljes së deputetëve në sallën e Kuvendit përcaktohen nga grupi parlamentar, jo nga Sali Berisha. Berisha nuk është anëtar i grupit parlamentar.

Ai shtoi se Berisha nuk mund të përcaktojë as ku do ulet vetë, dhe as ku do ulen deputetët që e mbështesin.

Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku