“Dabulla”, gjatë kontrollit të kompanive e shtëpive gjenden dokumente të vlefshme për hetimin

Oficerë të sektorit ekonomik në policinë e kryeqytetit kanë zbuluar në kompaninë “Telebingo Shqiptare” të biznesmenit Alban Dabulla dokumente të vlefshme për vijueshmërine e hetimit. Kontrolle janë kryer dhe në tre shtëpitë e biznesmenit ku nuk ka pasur asnjë person.

Në zbatim të vendimit të gjykatës së Tiranës, gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme prokuroria dhe oficerë të sektorit ekonomik në policinë e kryeqytetit, kanë ushtruar kontroll fizik në zyrat e kompanisë Telebingo Shqiptare ose “Nacional” dhe në disa kompani të tjera që administrohen nga binzesmeni, Alban Dabulla.

Kontrolli te “Telebingo” është kryer ditën e djeshme, dhe sipas burimeve të policisë janë arritur të gjenden dokumente të vlefshme për vijueshmërinë e hetimit të kësaj çështje që bën fjalë për mashtrimin me skemën e tatimeve në vlerën 5 milion euro.

Kontroll është kryer dhe në 3 banesat e Alban Dabullës dhe disa zyrtarëve të tjerë të Tatimeve të Tiranës të vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

Në tre banesat e Alban Dabullës, kur ka shkuar policia për kontroll nuk është gjetur asnjë person.

Burimet kanë bërë të ditur se Dabulla është larguar nga Shqipëria 24 orë para se Prokuroria të kërkonte masën ndaj tij.