Korça "kryeqyteti" i festave, qyteti juglindor edhe këtë fundvit destinacion për Krishtlindjen

Edhe këtë dhjetor, qytetarë nga gjithë vendi zgjodhën Korçën për të festuar Krishtlindjen. Menaxherët e hoteleve e bujtinave tregojnë se edhe për natën e ndërrimit të viteve kapacitetet e tyre pritëse pothuajse janë ezauruar.

Korça e dritave, rrugicave të kalldrëmta dhe njerëzve mikpritës edhe këtë fundvit është zgjedhja e qindra qytetarëve.

Edhe në këtë Krishtlindje Korça u kthye në top destinacionin e turistëve të cilët duan ët festojnë me familjarët dhe me miqtë në qytetin juglindor.

Vizitorë nga anë e kënd vendit preferuan ta kremtojnë Krishtlindjen në Korçë.

E zgjedhin jo vetëm për atmosferën magjike por edhe ngrohtësinë e mikpritjes në bujtina e hotele.

"Si mos vish në Korçë në këtë ditë feste, kaq bukur."

"Korça është një ambient shumë mikpritës, një qytet që ofron shumë për turistët dhe shpresoj që të zhvillohet akoma më shumë."

"Çdo gjë është mrekulli, do rrimë dy ditë dhe do kthehemi në Tiranë. Jam me gjithë familjen."

Menaxherë të hoteleve tregojnë se rezervimet për festat e fundvitit kanë nisur prej tetorit.

"Tashmë dhe pse jemi në ditët e fundit të festave, vazhdojnë ende telefonatat dhe kërkesat. Si Korça, ashtu dhe fshatrat turistikë Dardha, Voskopoja janë full në kapacitetet e tyre."

Vizitorët këtë vit janë më së shumti shqiptarë, të huajt i druhen kufizimeve dhe të papriturave të pandemisë.

"Turistë të huaj ka shumë pak, kjo është për shkak se askush nuk ka qenë i sigurt nëse do mbyllen kufijtë apo do jenë hapur."

Përveç qytetit, destinacion po aq i preferuar këtë dhjetor janë edhe fshatrat turistikë, Dardha dhe Voskopoja.