Politika uron Krishtlindjen
Krerët e politikës shqiptare por dhe përfaqësues diplomatikë, kanë uruar besimtarët katolikë, për festën e Krishtlindjes. Presidenti Ilir Meta në mesazhin për qytetarët shqiptarë shkruan se lindja e Krishtit i jep kuptim jetës brenda nesh dhe besimit për një të nesërme më të mire.
“Ndërsa familjet dhe miqtë mblidhen sonte për të festuar, të mos harrojmë se secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë, në rrugën drejt shpresës, besimit për një jete të bukur, një familje të bekuar, një shoqërie të paqtë e të shëndetshme”
Ndërsa kryeministri Edi Rama, i uroi krishtlindjet nëpërmjet një kartolinë të cilën ja kanë dërguar nga Thumana.
“Krishtlindjet janë me të vërtetë Krishtlindje, kur kremtohen duke u dhënë dritën e dashurisë atyre që janë më nevojtarët për të.”
Krishtlindjet për besimtarët katolikë, i ka uruar edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili shkruan se kjo ditë na mbush me shpresë të shohim me besim drejt të ardhmes tonë e të fëmijëve tanë.
Urimeve për këtë festë i është bashkuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila në faqen zyrtare ne rrjetet sociale ka shpërndarë një kartolinë, ku i uron shqiptarëve paqe dhe gëzime në këto ditë festash.
