"Gra e burra do ta rrëzojmë nga kati i nëntë", banorët e "Çoles" kundër antenës telefonike në taracën e pallatit

Banorët e lagjes "Çole" në Vlorë kundërshtuan të shtunën vendosjen e një antene të një prej kompanive telefonike në taracën e pallatit ku banojnë.

 Nuk kanë ende informacion për kompaninë që ka marrë vendimin por thonë se askush nuk është konsultuar me ta.

Banorët tregojnë se punonjësit e firmës celuare u kanë ndaluar dhe kalimin në taracën e pallatit.

Kundërshtojnë vendosjen e antenës nga meraku i pasojave që mund të shkaktojë në shëndetin e tyre.

"Ne e shikojmë të dëmshme nga ana e shëndetit mendor dhe fizik sepse në momentin që ajo vendoset ka rrezatim."

Përgjegjës bëjnë administratorin e pallatit por edhe kryetarin e bashkisë.

"Administratori i pallatit e ka bërë këtë punë, sa para ka marrë e di ai. Si pallat me gra dhe burra do ta rrëzojmë nga kati i nëntë në çimento."

"Kemi marrë firmën e Dritan Lelit thonë, çfarë pune ka ai te pallati? Do vdekjen e banorëve?"

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Vlorës nuk lejojnë vendosjen e antenave të kompanive telefonike pranë banesave të tyre.

Vite më parë ishin banorët që jetonin pranë bulevardit të qytetit që dolën kundër instalimit të antenave të tilla, por pavarësisht reagimeve nuk u mor asnjë masë.