"Lulzim Basha do të jetë koncesionar...", gazetarja zbulon si i komenton mazhoranca zhvillimet në PD

Zhvillimet e vrullshme politike brenda kampit blu kanë kaluar jashtë vëmendjes së mazhorancës.

Gazetarja Esjona Konomi, e cila mbulon zhvillimet politike brenda mazhorancës tregon për Ora News sesi i lexon PS ngjarjet në PD.

"Është interesante sepse padyshim janë vëzhgues të gjithçkaje që ndodh, jo vetëm, prej kërshërisë por edhe për shkak të llogarive politike që bëjnë sepse do të duhet të dinë se me kë do të negociojnë apo bashkëpunojnë për nismat parlamentare. E para i shohin me shumë vëmendje, e dyta po tu bësh pyetjen që i bëjmë të gjithë njëri-tjetrit se kush e fiton betejën? Të gjithë thonë se betejën juridike e fiton Lulzim Bashën. Por kur u thua kush e ka shumicën në parti?

Një nga zyrtarët më të lartë në PS tha së fundmi se e kam parë Kuvendin e Berishës si një Kuvend model nga ana organizative nga i cili mund të mësoj edhe unë si duhen bërë procedurat. Ishte një mendim i sinqertë se ishte një taikim informal një njeri që organizon Kuvende për PS që nga 2005. Mendonte që Sali Berisha ja kishte dalë që Kuvendin e tij të 11 dhjetorit ta organizonte në mënyrë të mirë, të besueshme, kishe shumicën në bazë.

Por nga ana tjetër për arsye të ndryshme, juridike dhe diplomatike, shikonte Lulzim Bashën si kryetar partie. I thashë ok, por nëse janë të ndarë PD nuk mund të fitojë. Më tha, e ke gabim, ti mendon me logjikë, mendon që PD punon që të fitojë. Jo, Lulzim Basha, do të jetë koncesionar në PD, të jetë kryetar partie dhe të mos fitojë kurrë. Dëshiron të pasurohet pa qenë ministër pa firmosur si kryeministër".