Legalizohet kisha e Koplikut, Lame: Shtëpitë e Zotit të jenë më dokumentacion të rregullt
Me rikthimin e lirisë së besimit në 1990, komunitetet fetare nxituan të ndërtonin objektet e kultit që u shkatërruan gjatë periudhës së errët të diktaturës.
Shumë prej tyre u ndërtuan pa leje. Kisha e Koplikut që u ngrit terësisht e re pas vitit 1991 deri më sot nuk ishte e pajisur me dokument pronësie.
Certifikata ju dorëzua këtë Krishtlindje imzot Angelo Massafres, Ipeshkvi i Dioqezës Shkodrës, nga drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame.
Lame njoftoi gjithashtu se procesi i legalizimit ka përfunduar edhe për Memorialin e Françeskanëve në Shkodër.
Shtëpitë e Zotit, tha kreu i Kadastrës, duhet të disponojnë dokumentacion të rregullt pronësie dhe të jenë shembull për të tjerët.
"Jemi në një vend që edhe objektet e kultit i kanë ndërtuar pa leje. T'u japim mundësinë që shtëpitë e Zotit të jenë me dokumenta të rregullta."
"Të jemi brenda ligjit dhe ne se kisha nuk është jashtë ligjit."
Me kishën e Koplikut dhe muzeun e Franceskanëve, shkon në 162 numri i objekteve të legalizuara të Komunitetit Katolik, ku përmenden kisha, manastire dhe objekte strehimore që kujdesen për shtresa në nevojë.
