Prokurorët kanë mbështetjen e opozitës Basha i prerë: Nuk ka Zot të kompleksojë Lulzim Bashën, jo sot!

Lulzim Basha në një konferencë për mediet u shpreh se "mafia e incineratorëve shtrihet nga Edi Rama deri te ata që janë caktuar për të çuar para për të mbyllur gojën e medieve."

Basha: Kjo ndodh që shqiptarët mos kenë informacion. Paratë vidhen jo vetëm nga Lefter Kioka me skemën e zbuluar tani, sepse janë shumë më shumë para të vjedhura, por vidhen nga të gjithë bashkëpunëtorët në këtë skemë. I takon drejtësisë ta zbardhë. Kjo skemë duhet të hetohet nga koka. Asnjë vendim nuk mund të merrej pa vendimin formal të Edi Ramës, asnjë vendim nuk është marrë pa pjesëmarrjen e Edi Ramës. Asgjë nuk mund ta shtyjë një kryeministër të marrë zvarrë grupin parlamentar dhe ta çojë në skenën e krimit, incineratori i Elbasanit.

Sipas Bashës, edhe prokurorët dhe hetuesit kanë qenë në presion për të mos ecur përpara. Basha tha se, "sot është dita për t'i thënë prokurorëve të cilët kanë qenë në presion nga mafia me në krye Edi Ramën që ne e vlerësojmë këtë akt sepse keni filluar të godisni korrupsionin e qeverisjes së lartë."

Basha: Vazhdoni përpara me maksimumin e guximit sepse prandaj jeni aty, për t'i shërbyer shumicës. Sot keni mbështetjen e PD-së. Të gjithë e dinë që kjo do të ishte e pamundur pa pëfshirjen e Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Engjëll Agaçit dhe kryetarëve të Fierit dhe Elbasanit. Duhet të jesh monstër për të mos kuptuar që një qeveri ndal çdo lloj pagese veçse për inceneratorët, kjo do të thotë se janë ortakë, janë brenda. Lefter Koka është njëri prej tyre. Nuk ka Zot në qiell që komplekson Lulzim Bashës, sot jo. Sot, mua, bashkëpunëtorët që kam në krahë, sot s’na komplekson njeri. Sot jemi në të drejtën e tonë t’iu themi shqiptarëve se kemi mbrojtur interesin tuaj, çdo qindarkë të xhepave tuaj.