Incineratorët, Basha: Koka bishti i aferës, përfituesi Rama dhe drejtësia ti shkojë në fund hetimeve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ia dedikoi konferencën për shtyp vetëm arrestimit të ish-ministrit të Drejtësisë Lefter Koka dhe asaj që ai e quan aferë e incineratorëve. Basha tha se Lefter Koka është thjesht një pjesë e asaj afere korruptive dhe se përfituesi kryesor është Edi Rama. Kreu i Demokratëve ikurajoi drejtësinë ti shkoje në fund kësaj çështje.
Lulzim Basha i shmangu pyetjet për zhvillimet brenda PD-se, duke u fokusuar përreth dy orë tek afera e incineratorëve, ndërsa tha se arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka, duhet të jetë vetëm fillimi.
Sipas tij në burg duhet të shkojë Edi Rama.
"Fjalët tona kanë dalë një për një. PD dhe unë kemi qenë në ballë të betejës, kësaj ti rrimë sot se nuk ka Zot në qiell ta kompleksojë Lulzim Bashën dhe PD sot, sot jo."
Lulzim Basha foli për presione ndaj prokurorëve të SPAK, e në këtë pikë ai kishtë një inkurajim.
"Duhen vënë në ndjekje penale kryeministri, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Armando Subashi, Qazim Sejdini. Duhen gjetur këta që janë në kërkim para se ti vrasë ndokush".
Nënkryetari, Enkelejd Alibeaj, tha se Rama i bëri presion drejtësisë, duke mbledhur tek ajo që e quajti skenë krimi, incineratorin e Fierit.
"Sfidoi prokurorinë, i mblodhi të gjithë grupin parlamentar dhe i futi në gropën e incineratorit që nuk është gjë tjetër veçse skena e krimit."
Ndërsa Jorida Tabaku, tha se zinxhiri i zyrtarëve të lartë që duhet të shkojnë në burg është i gjatë, e këtu u ndal edhe tek kryebashkiakët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
"Krimi më i madh është për incineratorin e Tiranës, një i ri sot nuk jeton më."
Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit, tha Basha, është misioni i tij ndaj tha se nuk do të kursejë edhe ish-zyrtarët e korruptuar të Partisë Demokratike.
"Jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga pjesa e keqe e të kaluarës sonë dhe të zgjedhim të ardhmen."
Por për të shmangur shfokusimin e lajmit nga incineratorët, Lulzim Basha, refuzoi deri në fund të përgjigjet për situatën me Sali Berishën por edhe me ish-aleatët, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
"Ti rrimë pa kësaj sepse nuk u shërbejmë qytetarëve."
