Ora News në Elbasan/ Incineratori punon nën sekuestro, kontrata koncensionare skadon nesër, do ti kalojë Bashkisë
Sekuestroja dhe hetimi i SPAK, nuk e ka ndalur punën në incineratorin e Elbasanit. Kontrata koncensionare zyrtarisht përfundon nesër dhe bashkia Elbasan po bëhet gati ta marrë nën administrim investimin e krijuar mbi një kontratë të dyshimtë dhe me hije korrupsioni e abuzimi në nivele të larta të qeverisë.
Pasi SPAK e vuri nën sekuestro me urdhër të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion dhe shpalli në kërkim pronarët e koncensionit, Klodian Zoto e Stela Gugallja, puna në incineratorin e Elbasanit vijon.
Shefi i Inspektoriatit të Mjedisit Elbasan, Ismail Dybeli, thotë se deri tani ata s'kanë asnjë informacion për bllokimin e veprimtarisë së grumbullimit të mbetjeve për trajtim.
"Procesi i pastrimit, grumbullimit, i transportimit të gjithë mbetjeve ka vazhduar normalisht, nuk është ndërprerë dhe pse qarkullon në media ky problem. Incineratori vazhdon normalisht punën".
Sipas SPAK, koncesioni i incineratorit të Elbasanit është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe prej aty kanë rrjedhur procedura korruptive që kanë çuar në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
Ndërsa Bashkia e drejtuar nga socialisti, Glendian Llatja, po bëhet gati të marrë në administrim investimin e krijuar mbi një kontrate kontroverse dhe mes dyshimeve për abuzime.
"Është thjesht procedurë që do të merret në dorëzim.Shumë shpejt do të kalojë në varësi të bashkisë."
Kontrata e koncesionit të incineratorit të Elbasanit me vlerë 21.6 milionë euro përfundon të enjten me datë 16 dhjetor.
