Meta kujton liberalizimin e vizave: Rruga evropiane e pangatërrueshme me qorrsokake të tjera, qofshin ato ballkanike

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka përkujtuar 11 vjetorin e liberalizimit të vizave. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se lëvizja pa viza në BE ka qenë ngjarja me ndikimin më të madh dhe të drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë, në të gjithë procesin e anëtarësimit.

Kreu i shtetit shprehet se është koha për të bërë gjithçka për të mbrojtur këtë arritje të madhe.

Meta ndër të tjera thekson se  rruga europiane e shqiptarëve është e pangatërrueshme me qorrsokake të tjera, qofshin këto ballkanike.

"Më 15 dhjetor 2010, qytetarët shqiptarë udhëtuan për herë të parë pa viza drejt Europës.

Në më pak se dy vite, ne përmbushëm 42 kushte dhe më shumë se 100 kërkesa bashkëshoqëruese, që lidheshin me shtetin ligjor, sigurinë dhe të drejtat themelore.  

Lëvizja pa viza drejt BE ka qenë ngjarja me ndikimin më të madh dhe të drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë, në të gjithë procesin e anëtarësimit.

E drejta për të udhëtuar pa viza drejt BE iu ktheu qytetarëve dhe shtetit shqiptar dinjitetin e njerëzve të lirë, të paparagjykuar, duke iu hapur horizonte dhe mundësi të reja për ndërtimin e të ardhmes së tyre europiane.

Ndaj është koha të bëjmë gjithçka për të mbrojtur këtë arritje të madhe.

Rruga europiane e shqiptarëve është shtruar përmes vetëdijes kombëtare se objektivi strategjik i anëtarësimit në BE është i pakompromentueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pangatërrueshëm me qorrsokake të tjera, qofshin këto ballkanike."