Abuzimet me tenderin, shembet rruga Lalëz-Bizë e rikonstruktuar 3 vite më parë

Rruga që të çon nga Ishmi në Kepin e Rodonit është shkatërruar vetëm nga disa dite reshje shiu. Anët e saj janë shembur dhe qarkullimi aty është gati i pamundur. Por si është ndërtuar kjo rrugë e inauguruar vetëm 3 vite më parë dhe ku shkuan 150 milionë lekë? Materiali në vijim ju sjell problemet me tenderin e rikonstruksionit.

Kjo është rruga Lalëz-Bizë në njësinë Ishëm, e rikonstruktuar vetëm 3 vite më parë.

Si pasojë e reshjeve, aksi ka rrëshqitje në disa pjesë të segmentit, çka ka sjellë vështirësi për qarkullimin e automjeteve. 

Siç shihet dhe nga pamjet rruga është e dëmtuar deri në gjysmë të korsisë.

Punimet për rikonstruksionin e këtij aksi janë kryer nga bashkimi i operatorëve ALB SHPRESA dhe MELA SHPK, të dyja në pronësi të shtetasit Mehdi Lala.

Në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë dhe 8 operatorë të tjerë, të cilët janë skualifikuar.

Ato u përjashtuan nga gara me argumentin se nuk plotësonin disa kritere teknike të dokumenteve të tenderit dhe për shkak të mosrealizimit të punimeve të ngjashme.

Duke iu referuar dokumenteve, fituesi ka ofruar 125 milionë lekë pa TVSH, ndërkohë fondi limit ishte 206 milionë.

Nga të dhënat vihet re gjithashtu se kjo procedurë prokurimi është në listën e tenderave me flamur të kuq, pasi subjekti i shpallur fitues nuk është operatori me ofertën më të ulet.

Bashkimi i operatorëve "VARAKU E" SHPK & "VELLEZËRIT HYSA" ka ofruar një vlerë më të ulët, rreth 122 milionë për kryerjen e punimeve.

Por këto dy kompani janë përjashtuar nga gara pasi nuk disponojnë mjetet e nevojshme për realizimin e punimeve dhe nuk paraqiten dokumentet për shlyerjen e detyrimeve ku kanë zhvilluar aktivitetin e tyre.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave referuar deklaratave të të gjithë pjesëmarrësve në garë ka vlerësuar se oferta e paraqitur nga kompanitë ALB SHPRESA dhe MELA SHPK është më e përshtatshme.

Këto kompani në gusht të vitit 2018 kanë përfunduar punimet për riparimin e rrugës me gjatësi 6.8 kilometra, e cila është investim i qeverisë shqiptare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Rruga është pjesë e aksit rrugor rajonal që lidh zonën turistike të Kepit të Rodonit me pjesën tjetër të Njësisë Administrative Ishëm, pjesë e Bashkisë Durrës.