A mban përgjegjësi qeveria për 4 milionë dollarë ryshfet Lefter Kokës? Arben Ahmetaj zihet ngushtë e merr të ikë
Një ditë pas arrestimit të ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ka ardhur edhe reagimi i parë i mazhorancës. Në një dalje për mediat pas mbledhjes së qeverisë zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, tha se përgjegjësia është individuale në përballjen me drejtësinë. Nga ana tjetër ish-ministri Lefter Koka pritet të dalë në gjykatë të enjten për masën e sigurisë, ndërkohë që dy të akuzuarit tjerë i kanë shpëtuar arrestimit.
Një ditë pas arrestimit të ish-Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, pati këtë koment pasi u pyet nga gazetarët.
Pyetja: A mban qeveria përgjegjësi politike institucionale apo morale që një sërë ministrish kanë lejuar, sipas SPAK që kolegu Lefter Koka me një dorë të vetme, me një tender të marrë përafërisht 4 milionë dollarë ryshfet. A kanë qenë motivet e kolegëve tuaj në ministri të ngjashme me këto të Lefter Kokës për të mbyllur sytë në këtë proces?
Ahmetaj: "Përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive as politike.Ka një procedurë ligjore qoftë për asetin publik të incineratorit të Elbasanit".
Ky ishte reagimi i parë që vjen nga qeveria në lidhje me aksionin e prokurorisë.
SPAK akuzon ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, se ka marrë 3.7 mln euro në mënyrë të paligjshme nga kompania koncesionare e incineratorit të Elbasanit, fonde që kompanitë i kanë marrë në buxhetin e shtetit.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ishte i vetmi nga tre personat për të cilët u kërkua arresti dhe vendimi i gjykatës u zbatua, ndërsa dy administatorët e kompanive fituese të tenderit Stela Gugallja dhe Klodian Zoto nuk janë gjetur në banesë dhe vijon kërkimi i tyre pasi i kanë shpëtuar arrestimit.
Policia në zbatim të vendimit të gjykatës ka nisur kontrollet ne disa prej hoteleve ku dyshohet se qëndronin por pa ndonjë rezultat. Ndërkohë që sipas sistemit TIMS rezultojnë se janë brenda vendit.
Ish-ministri, Lefter Koka, do të dalë të enjten para gjykatës për verifikimin e masës së sigurisë, ku edhe mund te japë shpjegime në lidhje me akuzën ndërsa ka zgjedhur si mbrojtës avokatin Fatmir Braka.
Seanca do të zhvillohet në orën 11:15 minuta nga gjyqtari i çështjes që ka vendosur edhe masën paraprake Erion Bani.
Ndërkohë prokuroria vijon hetimet për incineratorët e tjerë të cilët janë në hetim, të Fierit dhe të Tiranës.

