Ekzekutuan për hakmarrje në Kurbin, Llej Lika shfaqëson të atin dhe shokun: Rakip Rolin e vrava unë
22-vjeçari Llej Lika mori përsipër para gjykatës së Kurbinit vrasjen e Rakip Rolit në fshatin Sanxhak, duke deklaruar se krimin e kreu për hakmarrje pasi djemte e 55-vjeçarit e kishin dhunuar. Por pavarësisht kësaj deklarate, gjykata mbajti në qeli edhe të atin dhe shokun që e ndihmoi të largohet nga vendi i krimit më 10 dhjetor.
Babë e bir, Skënder e Llej Lika dhe Klajdi Gjegjaj (Beleshi), të arrestuar për vrasjen e 55-vjeçarit Rakip Roli në Sanxhak, mbërritën në Gjykatën e Kurbinit nën masa të rrepta sigurie.
Gjyqtari, Aurel Arapi, vendosi ti mbajë të tre në burg, duke pranuar kërkesën e prokurorit Bardhyl Shehu që ka ngritur ndaj tyre akuza për vrasjen me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
22-vjeçari, Llej Lika, para togave te zeza mori të gjithë përgjegjesinë për vrasjen e bizmesmenit të materialeve të ndërtimit.
Ashtu si në dëshminë e parë në polici pasi u vu në pranga, ai ka deklaruar se Rakip Roli e ekzekutoi për hakmarrje, pasi djemtë e 55- vjeçarit e kishin dhunuar disa kohë më parë.
Babai dhe Klajdi Gjegjaj, nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen citohet të ketë deklaruar i riu në Gjykatën e Kurbinit.
Llej Lika sipas burimeve ishte ekzekutori i 55-vjeçarit, ndërsa babai i tij dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor në krim.
Ndërsa i riu tjetër dyshohet se i ndihmoi ata të largohen nga vendi i krimit, duke i transportuar me një makinë që u fiksua nga një kamera sigurie.
Skënder e Llej Lika u identifikuan si të dyshuar vetëm disa orë pas vrasjes së 55-vjeçarit dhe u kapën një ditë më pas në zonën e Fushë Milotit, pasi hetuesit përdorën pajisjen përgjuese IMSI Catchers.
Biznesmeni i materialeve të ndërtimit Rakip Roli i njohur ndryshe dhe me emrin Pilot u ekzekutua në atentat me 10 dhjetor në rrugën Laç-Mamurras, ku autorët i kishin bërë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi.
Pas arrestimit, Llej Lika e çoi vetë policinë në vendin ku kishte fshehur armën e krimin.
