Në Korçë 40 fshatra vuajnë mungesën e energjisë elektrike prej 4 ditësh
Në qarkun e Korçës 40 fshatra prej 4 ditësh janë pa energji elektrike.
Fshatrat në zonat e thella vijonë në vujanë mungesën e energjisë elektrike edhe pse puna e punonjësve të OSHEE vijon në terren.
Më problematike paraqitet situata në njësitë administrative të Bashkisë Maliq ku sipas të dhënave janë 35 fshatra që sot kanë hyrë në ditën e katërt pa energji elektrike në dy Njësi Gorë dhe Moglicë.
Ndërkohë edhe në Njësinë Dardhas e Trebinjë të Bashkisë Pogradec janë 5 fshatra pa energji elektrike të cilët furnizohen nga fidri i dëmtuar i Maliqit.
Të gjitha këto pasoja kanë ardhur si shkak i stuhisë së dëborës 4 ditë më parë e cila ka rrezuar me dhjetëra shtylla dhe këputur përcjellësat.
OSHEE thotë se në të gjitha zonat në bashkëpunim me njësitë vendore janë të vendosur punonjësit por situate është mjaft e rënduar pasi dëmet e shkaktuara janë të mëdha për më tepër kushtet atmosferike dhe lartësia e dëborës e bëjnë shumë të vështirë ndërhyrjen e shpejtë.
Një ditë më parë prefekti i Korçës Dhori Spirollari tha se situata ka qenë jashtë parashikimeve dhe se me zgjidhjen e saj do të bëhet një analizë e thellë për të gjetur zgjidhjet e duhura, kjo pasi është vetëm fillimi i dimrit.
Megjithatë duhet theksuar se kjo është një situatë e përsëritur nga viti në vit, por OSHEE është mjaftuar vetëm me riparime dhe nuk kryen investime në rrjet prej vitesh në këto zona ku shumica e shtyllave janë prej druri.
