Lefter Koka nesër në gjykatë. Kontrolle në hotele luksoze për pronarët e inceneratorëve. Verifikohet edhe TIMS

Policia vijon kontrollet për arrestimin e Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, dy personat e shpallur në kërkim lidhur me dosjen e incineratorit të Elbasanit.

Ora News mëson se janë ushtruar kontrolle dhe në hotele luksoze ku mendohet se mund të kenë qenë strehuar por ende nuk është arritur arrestimi i administratorëve të dy kompanive.

Është bërë verifikimi i sistemit TIMS dhe ka rezultuar se ata janë në Shqipëri.  Ndërkohë është duke përfunduar procedimi lidhur  me inceneratorët e Tiranës dhe të Fierit, dosje të denoncuara nga opozita. Ka dhe persona të tjerë të nivelit të lartë që pritet të arrestohen, informon Ora News

Lefter Koka nesër në Gjykate

Ish-ministri Lefter Koka do të dalë të enjten para gjykatës për verifikimin e masës së sigurisë, ku edhe mund te japë shpjegime ne lidhje me akuzën ndërsa ka zgjedhuer si mbrojtes avokatin Fatmir Brraka.

Seanca do të zhvillohet në orën 11:15 minuta nga Gjyqtari i çështjes që ka vendosur edhe masën paraprake Erion Bani. Ndërkohë prokuroria vijon hetimet.

Akuza

SPAK akuzon ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka se ka marrë 3.7 mln euro në mënyrë të paligjshme nga kompania koncesionare e incineratorit të Elbasanit, fonde që kompanitë i kanë marrë në buxhetin e shtetit.

Paraditen e 14 dhjetorit 2021 Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ishte i vetmi nga tre personat - për të cilët u kërkua arresti - ku vendimi i gjykatës u zbatua ndërsa dy administatorët e kompanive fituese të tenderit nuk u gjeten në banesë.

Stela Gugallja që është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zoto që është pronar i kompanisë "Integrated Technology Services" akuzohen për korrupsion të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

Ndërkohë incineratori i Elbasanit u shpall i sekuestruar.