Ligjet shqyrtojnë sot dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit për Bashkëqeverisjen, Presidenca: Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës
Ndërsa Kryeministri Edi Rama prezanton në çdo qark ligjin për bashkëqeverisjen,, sot në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore do të shqyrtohet Dekreti i Presidentit Ilir Meta “Për kthimin e ligjit nr. 107/2021 “Për Bashkëqeverisjen”, shoqëruar me arsyetimin e detajuar.
Presidenti Meta nuk e dekretoi me miratim këtë ligj pasi cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, parimin e autonomisë vendore, parimin e sigurisë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon edhe më shumë kontrollin dhe pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri.
Sipas Presidencës, procedura e ndjekur më miratimin e këtij ligji është realizuar në shkelje flagrante të parashikimeve të ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Gjithashtu ky ligj bie ndesh, krijon mbivendosje dhe nuk është në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.
Bie haptazi ndesh me ligjin nr. 10385, datë 24.02.201, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar.
