Berisha ultimatum Bashës: Ke kohë deri më 18 Dhjetor të reflektosh!

Ajo që prisnin dhe shpresonin mbështetësit e "Foltores" ndodhi këtë të hënë.

Në orën 13:42 minuta Sali Berisha hyri në selinë e Partisë Demokratike, forcë politike e drejtuar nga Lulzim Basha i cili quhet tashmë vetëm një deputet i zakonshëm i PD-së nga delegatët e Kuvendit të 11 dhjetorit që e shkarkuan atë.

Pak minuta para se te nisej drejt selisë së PD-së, ai shkroi në FB se opozita nuk është as vulë, as bravë por frymë dhe veprim.

E ndërsa ngjiste shkallët për në sallën e komisionit të ngritur për rithemelimin e Partisë Demokratike , Sali Berisha i dha dhe disa ditë kohe për reflektim Lulzim Bashës i cili ne atë moment ndodhej po në seli në takim me strukturat për zgjedhjet në FRPD.

"Deputeti Basha deri në datën 18 duhet të mendojë, të reflektojë për vendimin E Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e këtij kombi dhe historinë e Evropës," tha Berisha.

Ish-kryeministri sqaroi misionin e kësaj lëvizjeje të papritur në selinë e Partisë Demokratike duke hedhur poshtë hamendësimet se mund të ulej që në këtë moment në karrigen e Bashës.

"Jo nuk futem në zyrën e Bashës. Sot ne vijmë këtu për të bërë një mbledhje, sot futem si një nga anëtarët e këtij Komisioni. Janë që të gjithë të barabartë," tha Berisha.

E konsideroi të turpshëm aktin e dërgimit në SPAK të tre deputetëve të PD-së dhe të një sekretari për falsifikim vulash.

"Një firmë tjetër turpi e deputetit Basha i cili padit në Prokurorinë e tij dhe të Edi Ramës kolegët e vet," tha Berisha.

Përshëndeti edhe punonjës të administratës Basha.

"Ju përshëndes përzemërsisht."

Anëtarët e Komisionit për rithemelimin e PD-së pasi hynë në sallën e mbledhjeve nuk gjetën karrige. Dhe për këtë Berisha përdori simbolikën.

Ndërkohe jashtë sallave ku Basha dhe Berisha po zhvillon mbledhjet paralele, në selinë e PD-së nuk munguan tensionet mes dy palave.

Komisioni për rithemelimin e mbylli shpejt mbledhjen dhe Berisha deklaroi në një konferencë të posaçme shtypi, rikthimin e pakthyeshëm në PD, ndërsa e la te hapur garën për kryetarin e ri.

"Ky rikthim është para një thirrjeje të brendshme të shqiptarëve dhe ata e dinë që rikthimet kanë qenë gjithnjë suksese të garantuara. Tani ç'të bëj unë? Të largohem? Jo," tha Berisha.

Ai foli dhe për protestën kombëtare të premtuar gjatë "Foltoreve" e tha se ajo do te zhvillohet në një kohë të dytë pas referendumit të 18 dhjetorit.

Në largimin nga selia e PD,  situata mori përmasa dramatike pasi kreu i FRPD, Belind Këlliçi kishte marre informata për njerëz të armatosur në seli. Këtë e konfirmoi vetë Berisha.

"Rithemelimi i PD është jetik për Shqipërinë. Ja unë luftoj gjithë kohën me bandat e qeverisë, por ato kanë hyrë dhe në selinë e PD-së," tha Berisha.

Këlliçi bëri denoncim në polici për këtë fakt dhe atë që e quajti bastisje të zyrave të FRPD  në selinë e Partisë Demokratike . Ai beri përgjegjës për këtë situatë Lulzim Bashën. Përgjatë disa orëve të këtyre zhvillimeve në PD forcat e gardës kanë mbërritur rreth  selisë së kësaj partie.