Bylykbashi- Bashës: Bëje shefin e policisë më 21 janar, shihje me dylbi nga tarraca e Kryeministrisë
Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, i ka kujtuar ish-kryeministrit Berisha, 21 Janarin e 2011, ku u vranë 4 protestues në bulevard pas demonstratës.
Nisur nga deklarata e Bashës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se asokohe Basha bënte shefin e policisë nga tarraca e Kryeministrisë duke parë situatën me dylbi.
Më tej ai tha se ditën që dogji mandatet sipas tij Basha dënoi me vdekje opozitën, ndërsa shton se misionin e tij për t’u bërë Kryeministër nuk do ta çojë deri në fund.
Oerd Bylykbashi: Basha është ai që bënte shefin e policisë nga tarraca e kryeministrisë me dylbi me datë 21 Janar dhe u përpoq që të ia faturonte 21 Janarin të tjerëve. Beson se duke përdorur klishe të lodhura do të bëjë apel. Nuk ka asnjë ekuivok sot mes anëtarëve të PD, popullatës, analistëve që kanë ndonjë dyshim që Basha ka humbur legjitimitetin. Sondazhet e tregojnë të shkërmoqur.
Ditën që dogji mandatet dënoi me vdekje opozitën. Vendimet e 2019 janë anti-amerikane, anti-europiane. Basha bëri gropën për zgjedhjet e 25 Prillit. Misioni i Bashës është për t’u bërë Kryeministër por nuk do të bëhet dot kurrë, mund të ketë edhe mision tjetër deri sa të shkatërrojë PD përfundimisht. Deri në 2013 dhe 2017 grupi parlamentar kishte debat, kishte figura politike që nuk ishin nën kontrollin e tij. Kur ai e kuptoi se nuk po e manaxhonte dot më, pas një marrëveshje që Edi Rama i ofroi garancira, ai zhduku fibrën e partisë. Sot askush nuk i bën nder vetes nëse mendon se është deputet i Bashës.
I pyetur se cila është ambicia e tij pas referendumit të 18 dhjetorit, Bylykbashi tha se ambicia e tij nuk është për t’u bërë Kryeministër, ndërsa ka treguar dhe arsyet se përse e ka mbështetur Berishën.
Oerd Bylykbashi: Unë nuk kam shkuar për Berishën. Kam shkuar për faktin se nuk mund të pranoja më asfiksimin total të demokracisë brenda partisë. Berisha ka një fuqi politike që nuk e ka askush prej nesh. Të gjithë ne përfitojmë nga kjo histori pasi është i vetmi që mund ta rrëzojë Bashën. Arsyet e tij nuk më interesojnë fare. Ajo që ka marrë përsipër Berisha ivlen demokracisë në parti, por do u vlejë dhe partive të tjera. Berisha nuk e ka shansin që të bëjë të kundërtën e asaj që ka premtuar. Nuk është në ambiciet e mia për të kandiduar për kryetar.
Përgatiti Anila Kolgjini.


