Vjosa u tërhoq, por mori me vete gjithçka! Rikthimi i familjarëve në shtëpitë e përmbytura: S'ka lënë asgjë

Vjosa nisi të tërhiqet në shtratin e saj natyral në Urën e Mifolit, dhe banorët në fshatrat e Fierit e Vlorës u drejtuan për në shtëpitë e tyre.

Por rikthimi ishte i vështirë për familjet e fshatit Ferras në Fier.

Uji  që arriti gati 1.5 metra të dielën kishte përmbytur gjithçka që ata kishin.

"Brenda është futur afërsisht 1 metër e gjysmë ujë."

Të pashpresë u munduan që të shpëtojnë ç’të mundnin.

"Të gjitha dëme janë ato."

"U munduam të ngrinim shumicën e gjërave, të gjitha i ka zënë uji. Çdo gjë është shkatërruar."

Natën e kaluan nëpër makina ose tek të afërmit.

"Kam fjetur në makinë."

Gishtin e përgjegjësisë e drejtojnë nga shteti ai që duhet t’i kishte ndihmuar shumë herë, por që për ta nuk ishte kurrë aty.

"Kemi nevojë për shumë gjëra, se çfarë zgjidhje do bëhet nuk e dimë."

Situatë dramatike edhe afër Urës së Mifolit në anën e Vlorës.

Banorët nga shtëpitë nxjerrin vetëm ujë e baltë.

Fatmirësisht theksojnë se nuk u përsërit situata e vitit 2015, por dëmet janë të mëdha.

Përgjegjës nuk bëjnë natyrën, por shtetin.

"Siç shikohet ka ardhur uji 80 centimetra brenda, s'na ka lënë asgjë, as për të fjetur, as për të ndenjur."

Këtë të hënë u tha se nisi edhe procesi i verifikimit të dëmeve, në ditën që zonat e përmbytura i vizitoi kryeministri Edi Rama.