"Foltorja" i përgjigjet Bashës: Shpif publikisht, kostot e Kuvendit do të bëhen transparente në media
Grupi i organizimit të Kuvendit të 11 dhejtorit i ka kthyer përgjigje kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me akuzat se eventit në “Air Albania” e ka organizuar bashkëshorti i një deputeteje socialiste.
Në reagim thuhet se Basha shpif publikisht dhe se kostot për organizimin e këtij eventi do të bëhen transparente.
“Deputeti Basha ripërtypi sot publikisht shpifjet e mediave të Edi Ramës për organizimin dhe kostot e Kuvendit te Partisë Demokratike. Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim. Po ashtu kukulla e Ramës shpifi publikisht se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të Partisë Socialiste. Hedhim poshtë me neveri këtë shpifje dhe sqarojmë opinionin se kjo është totalisht e pavërtetë! E mirëkuptojmë zemërimin e z.Basha përse nuk e organizuam Kuvendin me kompaninë e të afërmve të tij por rrjepja që ata i kanë bërë financave të PD këto 8 vjet e ka bërë këtë kompani të papërballueshme për mundësitë tona!”

