"Kuvendi i 11 Dhjetorit nuk ka pse t'i tregojë askujt legjitimitet", Strazimiri: Vendimi zyrtar, Basha u shkarkua
Në datën 11 Dhjetor, në "Air Albania" u mbajt Kuvendi Kombëtar i PD-së i thirrur nga lideri historik Sali Berisha. Kuvendi vendosi ta shkarkojë Lulzim Bashën nga posti i kryetarit të PD-së. Nga ana tjetër, Lulzim Basha është i vendosur të mbajë Kuvendin e thirrur më 18 Dhjetor dhe sipas tij vendimi për shkarkim është nul. Rezoluta e miratuar dje, 12 dhjetor, nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga Basha, nuk njeh asnjë vendim të Kuvendit të Berishës.
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Gent Strazimiri i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se Basha është shkarkuar nga Kuvendi me 4934 anëtarë, 4446 vota pro, 35 kundër, 9 abstenim. Strazimiri u shpreh se ishin vota para syve të të gjithëve dhe transparente.
Strazimiri: Kuvendin e 11 dhjetorit do ta quaja spektakël demokracie, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë n demokraci. Nëse ti ke vendosur ta përçmosh dhe ta quash arena e hajnisë, urrejtja që ti ke për këtë parti që do ta drejtosh dhe për më tepër ta çosh drejt fitores i kalon përmasat e armikut më të egër që ka pasur ndonjëherë PD. Ky nuk mund të jetë fjalori dhe konsiderata e Bashës për demokratët, kështu që mendoj se sot ka qenë një ditë krejt normale në PD, brenda një anormaliteti që një kryetar i shkarkuar refuzon të njohë vendimin e Kuvendit. Për më tepër i fyen duke i quajtur drejtuesit e partisë së vet "Arena e hajnisë."
Gjuhën e ashpër të përdorur nga Basha ditën e sotme në konferencën me gazetarët kundër zotit Berisha, Strazimiri e cilësoi si situatë absurde.
Strazimiri: Jemi në një situatë që nuk ka ndodhur kurrë në politikën shqiptare. Kurrë deri më sot nuk ka ndodhur që një politikan, për më tepër krytar partie, t'i mbledhësh Kuvendin që ai vetë e ka caktuar, ta shkarkojnë me votë në mënyrën me transparente dhe në fund të kalosh në këto retorika, besoj se është gjë që nuk e kishim parë asnjëherë. Turpi është i tij dhe i askujt tjetër.
Zoti Strazimiri tha se Kuvendi i datës 11 dhjetor nuk ka nevojë t'i tregojë askujt legjitimitet, për më tepër organeve që ka prodhuar vetë.
Strazimiri: Për opinionin publik e ka një detyrim dhe e ka përmbushur në mnëyrën më ekselente më 11 dhjetor.
Referendumi me 18 Dhjetor
Më 18 Dhjetor Referendumi do të zyrtarizojë vendimin e marrë në Kuvendin e datës 11 dhjetor në "Air Albania." Paralelisht do të zhvillohet dhe Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha.
Por për zotin Strazimiri, vendimi është zyrtar.
Strazimiri: Vendimi është shumë i qartë në bazë të Statutit. Kryetari është i shkarkuar. Unë i ftoj të gjithë demokratët të marrin pjesë atë ditë përballë kutive të votimit dhe të shprehin të lirë vendimin e tyre.
Pas vendimit të Kuvendit për të shkarkuar Lulzim Bashës, PD do të drejtohet deri më 22 mars nga një Komision Rithemelimi i përbërë nga 29 anëtarë.
Strazimiri tha se do të ripërtërihen të gjitha strukturat e PD-së në bazë të Statutit të ri të ndryshuar.
Strazimiri: Ne duhet të vëmë në jetë ndryshimet statutore dhe në strukturën e PD-së, në zgjedhjen e delegatëve në Kuvend dhe Kuvendi do të jetë më 22 mars. Gjatë kësaj periudhe ky Kuvend konsiderohet se qëndron i mbledhur, ne mund ta mbledhim dhe 5 herë të tjera gjatë kësaj periudhe nëse do të jetë e nevojshme.
Strazimiri u shpreh se situata e sotme ishte krejtësisht normale. Sipas tij, Basha duhet të kuptojë dhe të pranojë verdiktin e demokratëve të lirë të mbledhur në mënyrë transparente dhe të marrë vendimin që i takon, përndryshe do të përballet me Kuvendin.

