Bledi Shkëmbi sqaron zërat: Dorëhiqem nëse skuadra nuk më ndjek më

Trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi foli në konferencën për shtyp për sfidën e radhës ndaj Partizanit e cila do të jetë shumë deçizive për fatin e tij në krye të skuadrës. Në fakt rezultatet e dobëta e kanë vënë në qendër të kritikave atë ndaj dhe ai sot sqaroi një herë e mirë pozicionin e tij.

"Nuk e kam, menduar ndonjëherë tërheqjen, kanë rënë shumë pikëpyetje në atë se çfarë kam bërë unë dhe stafi. Do të tërhiqem kur presidenti dhe skuadra të mos më ndjekë dhe të mos jetë e imja në dhomat e zhveshjes. Jam i bindur që me një fitore do të rikthehemi ajo Dinamo e fillimit dhe më e rëndësishmja është që kemi grupin e plotë. Kampionati është i ngjeshur dhe objektivin do ta shohim pas këtyre tre ndeshjeve.

Do të bëjmë merkato, por tre ndeshjet e radhës janë deçizive. E di sa e thjeshtë është të flasësh nga studio, të bësh analiza. Mendoj se kemi bërë një merkato të mirë, kemi grup cilësor, por nga disa lojtarë prisnim më shumë dhe te të rinjtë duhet të jemi më të duruar. Ky grup ka cilësi dhe me ndonjë afrim tjetër mund të arrijmë objektivin për të cilin jemi nisur".

Më pas trajneri foli për situatën dhe gjendjen e skuadrës sidhe mundësinë e daljes nga kriza.

"Vazhdojmë me situatën e keqe, ne me skuadrën flasim, por në futboll fjalët janë të tepërta dhe duhet të reagosh në fushë. Të japësh në maksimumin për atë që përgatitet gjatë javës, duhet të ndryshojmë dhe të marrim rezultat. Ne jemi një klub model, stafi dhe futbollistët i kanë të gjitha. Problemi jemi ne të fushës, stafi dhe futbollistët. 

Futbolli ka momentet e veta delikate, ka të bëjë edhe ana psikologjike. Janë mbledhur bashkë mungesat dhe gabimet individuale, por në fund asnjë nga këto nuk është justifikim se ne stërvitemi dhe jemi këtu për ta ndryshuar këtë situatë. Ne dëshirojmë tre pikët, duhet të jemi shumë të përqendruar se në ndeshje të veçanta kemi pësuar dhe nuk kemi ditur të reagojmë. Duhet të jemi 100% nga çdo anë. 

E di çfarë do të thotë një ekip i ndërtuar nga zero. Jemi një klub model me presidentin që ka bërë investime të mëdha. Kam shumë besim se do të shkojmë në Europë, në kampionat me 2-3 ndeshje pozitive do të bëjë që të flitet ndryshe. Në Kupë jemi akoma dhe kemi eliminuar një nga ekipet më të forta si Tirana, ndaj jemi për Europën dhe mendoj se do ia arrijmë”, tha në konferencën për shtyp trajneri dinamovit./Ora News/.