Tirana zyrtare dënon sulmin në Deçan: Akt kriminal! Autorët të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor
Përfaqësuesit e shtetit dhe të politikës në Shqipëri kanë reaguar për ngjarjen e rëndë në Deçan ku janë konfirmuar tre të vrarë, dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Presidenti Ilir Meta në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, shprehet se është tronditur nga kty akt kriminal, ndërkohë që u ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Meta beson se përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.
Postimi i Metës:
Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur.
Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.
Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!
Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.
Ngushëllime familjarëve u ka shprehur edhe Kryedemokrati Lulzim Basha, i cili shprehet i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër.
Lulzim Basha: Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithcka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama shprehet se jetët e marra në Kosovë na kanë brengosur të gjithëv. Ai thotë se autori meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë
Edi Rama: Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues.
Po ashtu Ministrja Olta Xhaçka shprehet e pikëlluar për tragjedinë në Kosovë. Ajo thotë se autori i krimit meriton dënimin me të ashpër që parashikon ligji
“Pikëllim e dhimbje për tragjedinë në Kosovë të shkaktuar nga një dorë kriminale që meriton dënimin më të ashpër që parashikon ligji. Mendjet e lutjet tona ju shkojnë familjeve të viktimave të pafajshme! U prehshin në paqe!”- shkruan ajo.


