Minat me celular drejt Shkodrës, Manuka: Jam minator në Dibër; Losha: Punoj taksist se dija për C4
Dy burrat e arrestuar duke transportuar mina me telekomandë drejt Shkodrës mohuan akuzat në Gjykatën e Lezhës. Agron Manuka tha se ekspozivi i duhej për shpërthime në minierën ku punon, ndërsa Imer Losha tha se ai punon taksist dhe nuk e dinte që në makinë kishte eksploziv. Gjykata e Lezhës vendosi ti mbyllë në qeli.
Gjykata e Lezhës la në burg dy personat e arrestuar mbrëmjen e sqë martës me 30 kallëpë me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatore dhe 2 aparate celularë të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t'u montuar me mina me telekomandë.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, Agron Manuka dhe Imer Losha kanë mohuar që minat të cilëve iu gjetën në makinë janë për t'ua dhënë grupeve kriminale të veriut.
Manuka ka argumentuar se ato mina i duhen për shpërthimet në minierë ku dhe ai punon në Martanesh, e ndërsa Losha është shprehur se ai është thjesht taksist dhe se nuk kishte dijeni.
Por pavarësisht pretendimeve të tyre gjyqtari Ilir Përdeda pranoi kërkesen e prokurorit Ylli Pjeternikaj dhe vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" pa afat për dy të ndaluarit.
Agron Manuka, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Losha, 46 vjeç banues në Dibër, u ndaluan nga policia në rrugën e vjetër Milot-Lezhë, ndërsa po udhëtonin drejt Shkodrës.
Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjen e eksplozivit në drejtim të Shkodrës, ndaj i ka mbajtur personat e dyshuar për disa ditë nën vëzhgim deri sa i vunë në pranga.
Operacionet e Policisë së Shtetit përgjatë këtij viti kanë treguar lulëzim tregut të zi të armëve dhe municioneve.
Nga fillimi i vitit janë sekuestruar rreth 30 mina me telekomandë dhe në pranga kanë përfunduar mbi 15 persona, kryesisht në Durrës, Lezhë dhe Elbasan!.
Shpesh herë oficerët e policisë kanë qenë të kamufluar si blerës të tyre.
Çmimi i një bombe me telekomandë shkon deri në 3000 euro.
