Banorët e Kombinatit kundër projektit të rindërtimit: Nuk kemi pse të lëshojmë shtëpitë

Mbi 300 familje në zonën e Kombinatit do të duhet të largohen që aty pas njoftimit nga Bashkia. Në njoftim atyre u kërkohet që të lirojnë shtëpitë para datës 1 dhjetor pasi pritet që të ketë ndërtime të reja në funksion të proçesit të rindërtimit. Por banorët shprehen kundër pasi nuk kanë se ku të shkojnë.

Ky është njoftimi që Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit u ka dërguar familjeve në Kombinat në njësinë administrative nr 6.

Në njoftimin e dërguar më datë 18 nëntor mbi 300 familjeve në këtë zonë u është kërkuar që të lirojnë shtëpitë para datë 1 dhjetor 2021, pasi në këtë ditë do të nisë dhe ndërhyrja e IKMT.

Por banorët e zonës shprehen kundër këtij vendimi të bashkisë Tiranë, ndërsa thonë se pas këtij njoftimi nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga Bashkia se ku do të shkojnë apo do të kompensohen për shtëpitë e tyrë të cilat janë me hipotekë apo që janë në proces legalizimi.

"Na thanë që do të lëshoni shtëpitë në datë 1, nuk dimë ku do shkojmë dhe nuk kemi pse të ikim. Shtëpitë i kemi bërë vetë, nuk kemi pasur asnjë problem ndonjëherë."

Në zonë sipas njoftimit pritet që të ketë ndërtime të reja për interes publik, në funksion të proçesit të rindërtimit.