Vodhi dhe tentoi të përdhunojë gjermanen në Berlin, arrestohet në Pukë 27-vjeçari në kërkim
Policia e Pukës ka vënë në pranga një 27-vjeçar i shpallur në kërkim. Blutë arrestuan shtetasin
K.D, lindur dhe banues në Njësinë Administrative Qafë Mali, Bashkia Fushë Arrëz pasi gjykata e Pukës ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Vjedhje me dhunë”.
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në Gjermani.
"Në datë 17.08.2019, në qytetin e Berlinit - Gjermani, i është kërkuar ndihmë patrullës së Policisë gjermane, e cila ka konstatuar se një shtetase 32 vjeçare ka qenë duke shkuar në banesën e saj dhe gjatë rrugës është sulmuar nga një shtetas, i cili ka ushtruar dhunë ndaj saj duke tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë dhe i ka marrë portofolin me para, të cilin e kishte në çantën e saj" sqaron policia.
Pas njoftimit të banorëve nga ndihma e kërkuar nga 32 vjeçarja, autori i veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes, por në vendngjarje janë gjetur prova materiale e shkencore, nëpërmjet të cilave ai është identifikuar nga Policia.
Dosja nga Prokuroria e Berlinit në Gjermani është dërguar së bashku me provat materiale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë, në ngarkim të shtetasit K.D., banues në Fushë Arrës, i pandehur dhe në kërkim ndërkombëtar.
Prokurori ka regjistruar procedimin penal Nr.55, datë 16.11.2021.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë më datë 26.11.2021, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.