“Lufta” në PD e Fierit, Luan Baçi: Nuk e njohim të komanduarin e Lulzim Bashës si kryetar

Veç qendrës, lufta politike për postin e kryetarit ka përfshirë edhe degën e Fierit. Luan Baçi thotë se nuk e njeh vendimin e Lulzim Bashës për të komanduar Agron Kapllanaj si kryetar.Vendimet i cilësoi hakmarrje, pasi sipas tij ata mbështesin Sali Berishën.

Ish-kryetari i PD-së, në Fier, Luan Baçi i mbështetur nga drejtues të tjerë të degës dhe simpatizantë u mblodhën para selisë së partisë për të denoncuar atë që e quajnë uzurpim të zyrave pas ndërrimit të bravës së derës nga drejtuesi i komanduar, Agron Kapllanaj.

Para mediave, deputeti demokrat tha se ata nuk e njohin vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha.

"Zyrat i ka ozurpuar një ekip që ka ardhur nga Tirana, punonjës janë atje te PD, me kaçavida. PD janë anëtarët, nuk jajë as zyra dhe as vula. Nuk e njoh fare atë komandimin që ka bërë Basha."

Duke e cilësuar akt të turpshëm në Shtëpinë e Demokratëve të Fierit, që siç thonë, janë mbajtur për tetë vite me kontribute vullnetare, Baçi deklaroi se vendimet e Lulzim Bashës janë hakmarrje pasi në shumicë ata do të marrin pjesë në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha.

"Hakmarrje për degën e Fierit për pjesëmarrjen e madhe që ka të delegatëve për datën 11 dhjetor."

Të enjten, Agron Kapllanaj nga zyrat e PD-së në Fier deklaroi se ishte komanduar kryetar i degës nga Lulzim Basha pasi Luan Baçi kishte dhënë më herët dorëheqjen dhe vendi ishte vakant.

Ndërkohë prokuroria mbi bazë të denoncimit nga sekretari i degës lokale të PD, ka nisur një hetim për ndryshimin e bravës së zyrave të selisë blu në Fier.