Berisha: Me dosjen ‘Muzin’, Basha për qeli, me urdhër të Ramës, nuk u çua në Gjykatën e Lartë

Sali Berisha tha nga Laçi se dosja “Muzin” i rrezikon qelinë kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ai adresoi akuza të forta për pastrim parash ndaj pasardhësit teksa tha se Rama e ka ndihmuar duke penguar gykimin e kësaj çështjeje.

Berisha: Do i kërkoj Bashës dy gjëra. Dil dhe thuaju pak demokratëve për dosjen Nick Muzin, dosje me të cilën je i përshtatshëm për qeli në Shqipëri dhe SHBA. Unë i kam konkrete gjërat. A e dini ju se çfarë ndodhi me dosjen në apel. Nëse ndonjëri prej jush që nuk i përshtatet të drejtës, prokurori e çon nga shkalla në shkallë. Me urdhër të Edi Ramës, prokurori dosjen Muzin ku Basha akuzohet për larje parash, nuk e çoi në Gjykatën e Lartë. Pse Edi Rama ta bëri këtë nder. Po të ishe i pastër, dosja do shkonte atje dhe do merrje pafajësinë.

 

Po kaq i ashpër në deklarata Berisha ishte edhe për çështjen e ashtuquajtur “Toyota Yaris” duke hedhur dyshime për pazare të Bashës me bandat kriminale.

Berisha: Një ditë në parlament denoncon se do vijnë 5 mln euro brenda makinave Toyota Yaris. E pyeta se ku e mori vesh. Më tha se më mori një kamarier nga një restorant i huaj. I thashë që në këtë mënyrë ti u çove një mesazh atyre që mos ecni në Shqipëri se ju arrestojnë. Jo më tha se ata po ndiqen me GPS. Megjithëse e morën vesh, ata erdhën në Durrës, por 1.5 mln u përlanë. I ndau me Taulantin. Tani shkojmë më tutje. Vijnë hetuesit belgë me letër para për të marrë në pyetje Bashën. Lulzim Basha zhduket, teksa i thashë që duhet të shkosh. Nuk shkoi. Dua t’i them këtu. Lulzim, Toyotën ose i ndave me Taulantin ose me klanin kriminal. Pa e zbardhur atë, do kesh vështirësi për këtë dosje.

Rama dhe Basha në sytë e Berishës janë një armik i vetëm. Sipas tij të dy janë fajtorë për gjendjen ku ndodhet vendi, ndërsa kryeministrin e paralajmëroi për një fund si të Fatos Nanos.

Berisha: Do të rikthemelojmë PD-në dhe do të bëjmë opozitën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Evdin, fundin e ke të afërt! Ja ku është Kurbini në Këmbë, mjerë ti çdo të heqësh. Edvin, atë paralajmërim që i pata bërë Fatos Nanos po ta bëj edhe ty nga kjo sallë, fatin e tij do të pësosh nga burrat e gratë e gjithë Shqipërisë. Bëj gati valixhet dhe nisu për Beograd se në Shqipëri nuk ke vend. Mos harro me marrë me vete edhe Lul Pengun.

Për të dëshmuar se Basha ka mbështetje edhe mes socialistëve, ish-kryetari i PD-së citoi rezultatet e sondazhit të Antonio Noto në Rtv Ora.

Berisha: Peng-Basha është shndërruar në një figurë të dashur për PS-në. Këtë e thonë të dhënat. E thonë tellallët e saj që mbushin ekranet që i dalin atij zot dhe hedhin vrer ndaj Foltores sepse ajo i tmerron ato. E thotë vetë Rama që thoshte se problem ka Berishën, se Basha është çun i mirë dhe merret vesh. Edhe mbrëmë kreu i Meduzës ai deklaroi se mes Bashës dhe Berishës, unë e kam gurin e rëndë në qafë. Edvin, bashkë me Bashën dhe gurin do tu rrokullis të treve. Je i pashpresë! Sipas studimit të Noto-s, zgjedhësit socialistë janë shprehur se në 30% ndjehen më afër Bashën, ndërkohë që vetëm 24.9% të demokratëve ndihen afër me te. Ndërsa të pyetur nëse ndihen më afër me Berishën, vetëm 7% e demokratëve ndihen më afër me Bashën. Beteja jonë është që deri në 11 dhjetor, kjo shifër të shkojë në 0.2%.

Demokratët e Kurbinit dhe gjithë Shqipërisë i ftoi që të marrin pjesë në Kuvendin e datës 11 dhjetor për të rithemeluar Partinë Demokratike.