Virusi ‘Koksaki’ në Shqipëri, ja çfarë thotë pediatria Brati
Veç virusit Covid-19 dhe një virus tjetër i quajtur “Koksaki” po përhapet gjerësisht në vendin tonë dhe prek kryesisht fëmijët nga mosha 0-4 vjeç. Për të folur më shumë rreth këtij virusi si dhe simptomat që shfaq tek fëmijët e infektuar këtë pasdite në emisionin”Jeto me Orën” në RTV Ora ishte e ftuar mjeke, pediatre Dr. Sonila Brati.
Pediatrja Brati listoi disa nga simptomat që shfaq ky virus dhe shkaktarin që e shkakton atë.
“Virusi Koksaki ka rreth një muaj që qarkullon në vendin tonë dhe preken kryesisht fëmijët e çerdheve dhe kopshteve. Është një virus i njohur për ne para pandemisë, por jo kaq shumë i përhapur. Shkaktar kryesor i saj është virusi “koksaki”. Simptomat janë dalja e puçrrave në gojë dhe pastaj përhapen edhe në pjesë të tjera të trupit, temperaturë, anoreksia, etj”, u shpreh doktoreshë Brati.
Ndër të tjera ajo theksoi se virusi “Koksaki” nuk ka nevojë për lyerje me pudër apo krem, pasi mund të shërbej më shumë për përhapjen e infektimit.
“Virusi Koksaku nuk ka nevojë për antibiotik. Gjëja primare për fëmijët të cilët janë të prekur nga ky virus është dhënia e medikamenteve për uljen e temperaturës. Nuk pranon lyerje me pudër apo me krem, sepse mund të bëjë që infektimi agravon, por mjafton të jetë higjiena e pastër dhe të merret mjekimi i duhur nga mjeku. Është një mjekim që zgjatë maksimumi deri në 5 ditë”, tha Brati.
Më tej ajo u bëri thirrje prindërve, edukatoreve dhe çerdheve në rast se evidentojnë një nga simptomat e përmendura më lartë, t’i drejtojnë fëmijët e tyre tek mjeku.
“Në qoftëse fëmija shfaq temperaturë dhe qëndron dy deri në tre ditë pa gjumë, u bëj thirrje nënave që fëmijët duhet t’i drejtojnë pranë mjekut për t’u vizituar. Kjo vlen edhe për kopshtet dhe çerdhet nëse fëmijët shfaqin këto shenja duhet të izolohen fëmijët dhe zgjat nga 7-10 ditë”, u shpreh doktoreshë Brati.

