Basha reagon pas akuzave të Berishës: Trillime, PD nuk bëhet 'mish për top' për interesat e tij

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali berisha në adresë të tij.

Në një postim në twitter, Basha shprehet se njeriu që po vendos veten e tij mbi PD-në dhe mbi demokratët, po bëhet gjithmonë e më qesharak me trillimet dhe gënjeshtrat e tij.

Sipas Bashës, qëndrimet e tij pas 9 shtatorit tregojnë se ai nuk njeh kufi në çfarë thotë e çfarë bën vetëm për të mbrojtur interesat e tij personale.

Kreu i PD-së garanton se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe demokratët nuk do të kthehen në mish për top për interesat e Sali Berishës.

Sali Berisha tha nga Laçi se dosja “Muzin” i rrezikon qelinë kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ai adresoi akuza të forta për pastrim parash ndaj pasardhësit teksa tha se Rama e ka ndihmuar duke penguar gykimin e kësaj çështjeje.

Po kaq i ashpër në deklarata Berisha ishte edhe për çështjen e ashtuquajtur “Toyota Yaris” duke hedhur dyshime për pazare të Bashës me bandat kriminale.