Takimi i dy qeverive, Andoni: Duhet të bëjmë një audit ku jemi dhe ku do shkojmë
Ditën e sotme dy qeveritë ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë zhvilluar një mbledhje të përbashkët, ku dhe janë firmosur disa marrëveshje.
Gazetari Ben Andoni në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, u shpreh se deri më tani janë nënshkruar rreth 80 dokumente por asnjëra prej tyre nuk është zbatuar. Ai shton se Shqipëria dhe Kosova ka shumë grupe interesi që i pengojnë në terren.
Ben Andoni: Sot u krijua një frymë e mirë, pas disa kohësh mosmarrëveshjesh të aspektit politik. Mendoj se gjëja më pozitive në ditën e sotme është se të dyja qeveritë u shkundën përsa i përket atij auditi që duhet të bëjnë në marrëveshje dhe memorandumeve të së shkuarës. Janë mbi 80 dokumente ku që janë nënshkruar por nuk ka pasur rezultat. Kemi pasur momente tensionime të vogla sidomos në fushën ekonomike, specifikisht me tregtinë. Kosova dhe Shqipëria duhet të fillojnë të mendojnë në këtë moment për grupet e interesit që i pengojnë në terren. Unë mendoj se sot është bërë një gjë e mirë.
Për Andonin çështja e bashkimit të dy vendeve tona nuk është thjesht dëshirë e krerëve të qeverisë por është dëshirë e popullit.
Ben Andoni: Çështja e bashkimit të dy vendeve tona nuk është thjesht dëshirë e tyre është dëshirë e popujve tanë, por duhet të jetë një projekt shumë i madh që kërkon këtë lloj Bashkimi çfarë do të përfitojnë vendet e tjera të Ballkanit, çfarë do të ndodh me komunat e Veriut, luginën e Preshevës, ky është problem shumë I madh. Duke ditur këtë tezë të dytë kryeministrat e nxjerrin gjithmonë si armë të tyre për t’i bërë presion Brukselit. Sy dy vende të vogla që jemi shumë të ekspozuara ndaj interesave shumë të mëdha që janë larg nesh.
Andoni tha se ajo që u bë ditën e sotme duhet të ishte bërë që në takimin e parë të dy qeverive dhe jo në takimin e 7 të tyre.
Ben Andoni: Nuk është e shtirur por gati e pabesueshme, që ne akoma diskutojmë lëvizjen e lirë me Kosovën. Leja e qëndrimit në Shqipëri për Kosovën apo dhe anasjelltas, janë akte për t’u përshëndetur. Por duhet të hiqen. Çfarë u bë në takimin e 7 duhet të ishte bërë që në takimin e parë. Është takimi i 7 dhe ne diskutojmë për gjëra kaq minimale me Kosovën. Një hap pozitiv që do japë rezultat duhet përshëndetur.
Edhe pse ka vlerësuar marrëveshjet e arritura në mbledhje, Andoni tha se në takimet mes qeverive ka pasur propagandë. Ai tha se duhet të bëjmë një audit ku kemi shkuar dhe ku duhet të shkojmë.
Ben Andoni: Në këto mbledhje ka pasur propagandë, kjo vihet re pasi të dy kryeministrat, sepse kemi shkuar gati rreth 80 marrëveshje dhe nuk e kemi këtë impaktin e duhur në Kosovë. Ne duhet të bëjmë një audit ku kemi shkuar dhe ku duhet të shkojmë. Ky ishte sensi sot. Takime të tilla duhet të ishin më të rralla por më efikase.
Përgatiti Anila Kolgjini.

