Nis dimri në zonat malore/ Borë dhe mot i keq në rrethe, vështirësi në rrugë

Reshjet e dëborës nisën në fund të vjeshtës në veri e juglindje.

Këtë të premte, fshatrat turistikë të Dardhës e Boboshticës në Korçë u zgjuan nën petkun e bardhë.

Në Dardhë, siç tregojnë  pamjet, reshjet ishin intensive në orët e para të mëngjesit çka detyroi nxjerrjen e borëpastrueseve në rrugë, ndërsa mjetet duhet të lëviznin me zinxhirë.

Më e dendur ka qenë në majë të Mashkullorës në Vithkuq, ku trashësia ka  shkuar ne disa centimetra, por aktualisht nuk raportohen problematika.

Dëbora zbriti edhe në zonat Malore të Shkodrës, Valbonë të Tropojës dhe zbardhi edhe majat e maleve në qarkun e Dibrës.

Ndërkohë pjesa tjetër e vendit prej mbrëmjes së të enjtes është përfshirë nga moti i keq me reshje intensive shiu dhe erë të fortë.

Për shkak të kushteve të këqija atmosferike kapiteneria e Vlorës ka bërë me dije se do të ndalohet lundrimi i të gjithë mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit për 5 ditë .

Dallgëzimi në det mund të shkojë deri në 8 ballë , ndërsa lartësia e dallgëve nga 1.5-3.5 metra.

Reshjet intensive rikthyen problemet e vjetra në disa qytete.

Këto pamje vijnë nga lagjia 28 Nëntori në Elbasan,  ku rrugët ishin mbuluar nga uji e balta duke e bërë lëvizjen të vështirë, jo vetëm për këmbësorët.