Rama: Krijuam sekretariatin për koordinimin e dy qeverive, do përshpejtojë hapat e mëtejshëm

Pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj shqiptare që u mbajt ditën e sotme në Elbasan u zhvillua konferenca e përbashkët.

Kryeministri Rama u shpreh se falë intensitetit të punës së kryer u firmosën një sërë marrëveshjesh shumë konkrete. Ai nënvizoi marrëveshjen e bërë për të filluar menjëherë nga puna për studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Rama: Të dyja qeveritë kanë përcaktuar në buxhetin e vitit 2022 një fond dhe të dyja ministritë kanë dakordësuar ngritjen e ekipit të përbashkët të punës.

Po ashtu dua të nënvizoj marrëveshjen që çon në një nivel të ri bashkëpunimin doganor, një kërkesë legjitime e kohës e eksportuesve dhe importuesve në të dyja anët e kufirit. Më tutje nënvizoj se eleminimi i të gjitha procedurave të dyfishta është objektivi ynë të gjithë sektorët dhe faktikisht në rastin konkret krijimi i manualit të ri për proceduar standarde operimi në doganën e Durrësit është kyçi për atë që thashë.

E treta, dua të nënvizoj që tani më në fund është dakordësuar krijimi i një regjimi të ri doganor në kufi duke pasur parasysh domosdoshmërinë që të mos krijohen radhë të pafundme për shkak të kontrolleve. Dy ministritë e Brendshme kanë rënë dakord për një sistem monitorimi të pikave doganore me kamera pa kontrolle fizike duke e bërë kufirin krejtësisht fluid.

Në mbyllje do të nënvizoj edhe atë që është një objektiv i përbashkët jo vetëm i dy qeverive, por edhe personalisht i Albinit dhe i imi për të shtrirë sa më shumë shërbimin e  rrjeteve konsullore të përbashkëta.

Dua që ta falenderoj sinqerisht të gjithë skuadrën e Kosovës, Albinin personalisht për ritmin e ri që ka marrë ky proces. Një pjesë e marrëveshjeve janë zbatuar plotësisht, një pjesë janë në zbatim.

Rama u shpreh se krijimi sot me vendim të dy qeverive i sekretariatit për koordinimin e dy qeverive i nje mekanizëm i ri i cili raporton dhe orientohet nga zyrat e dy kryeministrave është një hap ku ne së bashku besojmë se do sjellë përshpejtimin e të gjithë hapave të tjerë.