"Po mbjellim bashkë dhe do na nevojitet shumë diell e shi për frytet", Kurti: Do t'i gëzojnë qytetarët në të dyja anët e kufirit
Gjatë konferencës së përbashkët të mbajtur në Elbasan, pas përfundimit të mbledhjes së dy qeverive, kryeministri Kurti u shpreh se marrëveshjet e firmosura sot do t'i hapin rrugë bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të dy vendeve. Kryeministri Kurti tha se frytet e këtij bashkëpunimi do t;i gëzojnë shqiptarët.
Kurti: Ne po mbjellim bashkë dhe do na nevojitet shumë diell e shi për frytet të cilat do t'i gëzojnë qytetarët në të dyja anët e kufirit. Jam shumë i nderuar me mbledhjen e 7-të të përbashkët të dy qeverive tona. Ne e shohim tejet të rëndësishëm koordinimin gjithandej. Nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara sot do ta rrisim edhe më tej bashkëpunimin për shqiptarët në dy anët e kufirit dhe gjithë rajonit.
Bashkëpunimi mes dy qeverive tona do forcojë shtetet tona. Dy qeveritë tona janë në horizontin e integrimeve në Bashkimin Evropian i cili është fati ynë. Sa më të integruar bëhemi, aq më të bindur e më të inkurajuar do jenë qytetarët për të krijuar jetën e tyre në vendin e tyre. Lidhshmëria jonë historike, kulturore e gjuhësore janë nyjet tona premtuese për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thellimin e shkëmbimit ekonomik.
