Hidhet shorti për Dosjen "Tahiri": Caktohen dy gjyqtarët, të tretin e zgjedh KLGj
Dosja e Saimir Tahirit në Apel do të gjykohet nga Daniela Shirka që është kryesuese, anëtare Ilirjana Olldashi dhe anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Çështja në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela , e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më date 24.11.2021 u hodh në short ditën e sotme, më datë 26.11.2021.
Fillimisht ishte përcaktuar që çështjen ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare gjyqtaret Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi.
Por, gjyqtarja Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështje (për faktin se është shprehur më parë duke qenë gjyqtare e seancës paraprake). Kjo u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës.
Nga shorti i ri u përcaktua trupa gjykuese e përbërë nga kryesuese Daniela Shirka, anëtare Ilirjana Olldashi. Anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
