"Ballkani i hapur debat mes meje e Kurtit", Rama: Unë e Albini dy kokat e Shqiponjës. Kur të vijë dita që të jemi me një kokë

"Ballkani i Hapur" është e vetmja temë diskutimi që qeveria Kurti nuk bie dakord me qeverinë Rama. Kosova ka shprehur qëndrimin kundër kësaj nisme, ndërsa Shqipëria e sheh si rrugën drejt zhvillimit të rajonit.

Po bini dakord mes shumë marrëveshjesh mes Kosovës dhe Shqipërisë mirëpo a ka një mendim unik për problemin e Kosovës dhe Serbisë? Cili është qëndrimi i Shqipërisë për sa i përket "Ballkanit të Hapur" dhe së fundmi kemi parë qëndrimin e SHBVA-së e cila thotë se pa përfshirejn e 6 shteteve nuk mund të ketë "Ballkan të Hapur".

Rama: Mendimi i Shqipërisë, i kësaj qeverie lidhur me Kosovën dhe Serbinë nuk është as sekret as i panjohur. Unë e kam shprehur qysh në krye të herës edhe në mes të Beogradit, nuk ka ndryshuar. Në këtë pikë nuk ka asnjë dilemë. Për sa i përket "Ballkanit të hapur" kemi dy qasje të ndryshme, por nga ana tjetër duhet edhe ju dhe të gjithë  të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon të vendosim forcat për të bërë gjërat e duhura në funksion të të ardhmes. Mendoj që këto opinione të ndryshme nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh.

Nëse do më lejoni t'i referohem Shqiponjës me dy koka, njëra kokë shikon nga njëra anë, koka tjetër nga ana tjetër, por trupi qëndron drejt që do të thotë Shqiponja është krejtësisht e informuar në 360 gradë. Mos kini asnjë dyshim se Shqiponja me dy koka rrezikohet të kapet në befasi sepse i kontrollon me s y të dyja anët. Mendoj që është një vlerë e shtuar në këtë rast që jemi Shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi Shqiponjë me një kokë rreziku është që të kafshojmë më shumë se sa sot që nuk e kemi këtë luks dhe nuk e kemi as këtë qëllim. Ballkani i Hapur është një debat mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë mes meje dhe Albinit të gjitha debatet të jenë të mbyllura se i bie që ne të ndryshojmë emrat pastaj dhe mos jemi ata që jemi.

Kurti: Është e mundur që Kosova e Shqipëria të diskutojnë pa e përmendur fqinjin verior të Kosovës.  Besoj që duhet të kemi një vlerësim edhe për këtë aspekt meqë jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane të cilat e kanë synim BE-në, por në të njëjtën kohë nuk kanë nevojë që sa herë bashkëpunojnë ta përmendin fqinjin verior të Kosovës.