Vrau pronarin e servisit në 2014, merr fund arratia disa vjeçare e ish-agjentit të SHISH

Një ish punonjësi i SHISH është arrestuar nga efektivët e komisariati nr 2 në kryeqytet pasi ishte shpallur në kërkim për një vrasje në vitin 2014. Xhevahir Mzhika, 51 vjeç, i dënuar me dhjetë vjet burg në mungesë, tentoi pa sukses t'i shpëtojë pasi u lokalizua në rrugën “Babë Rexha”. Shtatë vite më parë ai qëlloi me armë zjarri Florian Selmanin në një gomisteri tek Fusha e Aviacionit në Tiranë.

Një ish agjent i SHISH i shpallur në kërkim për vrasje është arrestuar nga policia e Tiranës.

Burimet zyrtare thanë se forcat e rendit kanë vënë në pranga shtetasin Xhevahir Mzhika, 51 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar me 10 vite burg, për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas policisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Reagimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim i cili u gjet në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë 51-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga efektivat e rendit.

I arrestuari i cili ka qenë punonjës i shërbimit informativ, është dënuar me dhjetë vjet burg pasi në datën 16 gusht 2014, tek isha Fusha e Aviacionit, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Florian Selmani.

Ekzekutimi ka ndodhur në gomisterinë në pronësi të viktimës, pasi autori i krimit ka shkuar dhe është konfliktuar me Selmanin. Shkak është bërë defekti që kishte pësuar goma e automjetit të ish-agjentit të SHISH për të cilën Xhevahir Mzhika i ka kërkuar sqarime punonjësit të servisit.

Ai ka pretenduar se goma i ka rënë në autostradë teksa kthehej nga Gjiri i Lalzit, duke rrezikuar jetën e gjithë familjes.

Pas vrasjes, oficeri i SHISH arriti të largohej nga vendi i krimit ndërkohë që policia zhvilloi disa operacione pa rezultat për kapjen e tij.

Ndërkohë që Xhevahir Mzhika ishte në kërkim, Prokuroria përfundoi hetimet dhe e dërgoi dosjen në Gjykatë ku u pandehuri u dënua në mungesë.