Admir Tafili videocall nga qelia e burgut të Peqinit. Si përgjimet e SPAK zbuluan pajisjen e lidhur me Televizorin
Një grup televizori i përshtatur në telefon është kapur nga gardianët e burgut të Peqinit, në qelinë ku vuan dënimin me burgim të përjetshëm, Admir Tafili.
Telefoni artizan
Pajisja elektronike ishte pjesë e strukturës së një televizori që i dënuari mbante në dhomën Nr.4.
Pajisje nuk shërbente vetëm për vënien në punë të televizorit, por njëherësh ishte përshtatur dhe si aparat telefonik, me qëllim për të kryer telefonata dhe video call me persona janë burgut.
Pajisja e modifikuar ishte ngjitur me silikon në pjesën e brendshme të televizorit dhe mandej lidhej me 4 fije tek bakri me grupin e televizorit. Ndërsa zëri merej nëpërmjet kufjeve.
Gjurma
Ky telefon artizanal, besohet se është përdorur për një periudhë kohe nga, Admir Tafili, por zbulimi i tij është bërë nga prokuroria e Posaçme SPAK në Tiranë.
“Ora News”, mëson se prokuroria e posaçme si pasojë e nisjes së një hetimi mbi rrethanat e vrasjes se Bahri Tafilit, ka vënë në përgjim disa persona.
Mes personave të përgjuar kanë qënë miq dhe të afërm të familjes së të dënuarit me burgim të përjetshëm, Admir Tafili.

Nga përgjimet është konstatuar se Tafili nga ambjentet e burgut, fliste me ta në telefon, duke zhvilluar biseda të ndryshme.
Kaq ka mjaftuar që prokurorët e SPAK, të raportojnë tek Drejtoria e Përgjithme e Burgjeve, e cila pak ditë më parë ka ushtruar një kontroll të imtësishëm në qelinë nr.4, ku qëndron i izoluar Tafili.
Kontrolli
Nga kontrolli, nuk është gjendur asnjë gjë e dyshimtë. Por policët kanë vendosur ti kontrollojnë dhe televizorin në pjesën e brendshme. Tafili, u ka kërkuar që të mos e hapnin televizorin pasi do ja prishnin.
Sipas tij, televizori ishte i mbyllur me vida dhe ishte e pamundur të fusje një telefon aty brenda.
Por pas hapjes së kapakut të televizorit, policët vunë re se me grupin e kësaj paisje ishte lidhur në mënyrë artizanale me silikon dhe një grup telefoni, që Tafili e përdorte për të kryer telefonata me personat jashtë burgut.
Akuza e re
Prokuroria e rrethit tashmë ndaj Admir Tafilit, kanë nisur hetimet për akuzën e “Futjes së sendeve të palejuara në ambjentet e burgut”.
Admir Tafili vijon të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes në mars të vitit 2011, dy vëllezërit e Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni, policia mundi të arrestojë Tafilin.
