"Iku koha e gjyqeve publike" Dvorani i përgjigjet Metës. Gjykata pushon padinë ndaj ish kreut të KED-së

Ashtu siç e kërkoi SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur të pushojë padinë e presidentit Ilir Meta ndaj ish-kreut të KED-së, Ardian Dvorani, të cilin e akuzoi për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit shtetëror. Pas vendimit, këshilltari i Presidentit deklaroi se nuk ishin dakort me vendimin dhe si i tillë do ta apelojnë atë.


Tirane- “Kush mendon se ka përplasje i ka  për vete unë nuk kam përplasje me askënd” kështu ka reaguar ish kreu i KED-së Ardian Dvorani menjëherë pasi doli nga gjykata ku u vendos pushimi i padisë së presidentit Ilir Meta ndaj tij.

“Në Shqipëri ka ikur koha e gjyqeve popullore i përkasin regjimit të kaluar. Gjyqet nuk bëhen nëpër media. Mediat informojnë por çëshjet nuk vendosen në media porn ë gjykatë” tha ai më tej kur u pyet se si do i përgjigjej presidentit Meta.

Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e SPAK-ut për të pushuar kallëzimin e bërë nga presidenti Ilir Meta, ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Të pranishëm ishin këshilltari juridik i presidentit Bledar Dervishaj dhe vetë i padituri Ardian Dvorani.

Seanca u drejtua nga gjyqtari Erion Çela, i cili vendosi të pranojë kërkesën e SPAK-ut.

Pas vendimit, përfaqësuesi i Presidentit tha se parashtruan para gjykatës mosdakordësinë dhe kërkuan kthimin e akteve te prokuroria pasi sipas tij disa nga veprimet hetimore nuk janë kryer.

"Është pushuar kallëzimi për çështjen penale të 2020 që ka marrë SPAK ku ishin të akuzuar Etilda Gjonaj, Ardian Dvorani, Gentjan Deva dhe drejtuesja e ish-QPZ. Presim të zbardhet vendimi dhe të ushtrojmë të drejtën ligjore".

Këshilltari i Presidentit tha se do ta ankimojnë vendimin. Të hënën presidenti Ilir Meta deklaroi se nuk i hiqte asnjë presje akuzave ndaj Dvoranit për shpërdorim detyre dhe manipulim për të zgjedhur kandidatin e Gjykatës Kushtetuese.