Presidenca do ankimojë vendimin për Dvoranin, Dervishaj: U pushua çështja dhe për Etilda Gjonaj dhe zyrtarë të tjerë
Ashtu siç e kërkoi SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur të pushojë padinë e presidentit Ilir Meta ndaj ish-kreut të KED-së, Ardian Dvorani, të cilin e akuzoi për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit shtetëror. Pas vendimit, këshilltari i Presidentit deklaroi se nuk ishin dakort me vendimin dhe si i tillë do ta apelojnë atë.
Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e SPAK-ut për të pushuar kallëzimin e bërë nga presidenti Ilir Meta, ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Të pranishëm ishin këshilltari juridik i presidentit Bledar Dervishaj dhe vetë i padituri Ardian Dvorani.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Erion Çela, i cili vendosi të pranojë kërkesën e SPAK-ut.
Pas vendimit, përfaqësuesi i Presidentit tha se parashtruan para gjykatës mosdakordësinë dhe kërkuan kthimin e akteve te prokuroria pasi sipas tij disa nga veprimet hetimore nuk janë kryer.
"Është pushuar kallëzimi për çështjen penale të 2020 që ka marrë SPAK ku ishin të akuzuar Etilda Gjonaj, Ardian Dvorani, Gentjan Deva dhe drejtuesja e ish-QPZ. Presim të zbardhet vendimi dhe të ushtrojmë të drejtën ligjore".
Duke folur para mediave pas seancës dy orëshe në gjykatë, Dervishaj tha se parashtruan para gjykatës mosdakordësinë dhe kërkuan kthimin e akteve te prokuroria pasi sipas tij disa nga veprimet hetimore nuk janë kryer.
"Deri tani presidenti ka respektuar kërkesën e prokurorisë për sekretin hetimor pavarësisht se që në muajin korrik jemi njoftuar mbi mënyrën e përfundimit të hetimeve ndërkohë që për kërkesën për pushimin e kësaj çështje penale jemi njoftuar vetëm në fillim të nëntorit. Në seancën e sotme gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes penale ndërkohë që ne i parashtruam gjykatës mosdakordësinë tonë, kthimin e akteve te prokuroria pasi disa nga veprimet hetimore në vlerësimin tonë nuk ishin kryer. Ndërsa për disa të kallëzuar të tjerë ekzistonin prova që mund të dërgohej çështja në gjyq me një akuzë sipas këllëzimit të paraqitur. Gjykata na njoftoi se vendimi i zbardhur do të bëhet me dije zyrtarisht dhe kemi të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve. Presim atë vendim".
Ai mbetet i bindur se të gjithë shtetasit e kallëzuar i kanë konsumuar veprimet e tyre të paligjshme.
"Iku koha e gjyqeve publike"
Gjyqtari, Ardian Dvorani, nuk nguroi të shigjetonte Kreun e Shtetit teksa tha se është gjykata ajo që duhet të japë vendim për çdo çështje, duke shtuar se ka ikur koha e gjyqeve popullore.
“Kush mendon se ka përplasje i ka për vete unë nuk kam përplasje me askënd. Në Shqipëri ka ikur koha e gjyqeve popullore, i përkasin regjimit të kaluar. Gjyqet nuk bëhen nëpër media. Mediat informojnë por çëshjet nuk vendosen në media por në gjykatë”.
Këshilltari i Presidentit tha se do ta ankimojnë vendimin. Të hënën presidenti Ilir Meta deklaroi se nuk i hiqte asnjë presje akuzave ndaj Dvoranit për shpërdorim detyre dhe manipulim për të zgjedhur kandidatin e Gjykatës Kushtetuese.
